Burri nga Çikatova e Re ikë nga gruaja e tij që iu vërsul me thikë, e lajmëron në Polici

Policia e Kosovës ka arrestuar një grua në fshatin Çikatovë e Re të Drenasit pasi e njëjta dyshohet se tentoi ta sulmojë me thikë bashkëshortin e saj. Sinjali ka mësuar detaje nga ky rast i dhunës në familje, që u denoncua nga burri i të dyshuarës, pak para mesnatës.

Burri i të dyshuarës ka shkuar mbrëmë, rreth orës 22:00 në stacionin policor në Drenas dhe e ka denoncuar bashkëshorten e tij për dhunë në familje.

Sinjali mëson se në dëshminë e viktimës, dhënë para hetuesve policorë thuhet se rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje që kishte me të dyshuarën. Sipas tij, e njëjta e kishte marrë një thikë në dorë dhe kishte tentuar t’iu vërsulet, gjatë kohës sa ishin në oborrin e shtëpisë.

Për t’i shpëtuar sulmit të gruas, burri ka ikur nga oborri dhe përmes telefonit e ka lajmëruar rastin në Polici. Me të marrë informacionin, dy palët janë dërguar në stacion, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.

Pas intervistimit, prokurori ka lëshuar urdhër për të dyshuarën dhe e njëjta është dërguar në Qendrën e Ndalimit për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “dhunë në familje”, ndërsa viktima është kthyer në shtëpinë e tij.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë