Punonjësit e “Ferronikelit” kërcënohen dhe pengohen në punë, reagon kompania

Disa punonjës  dhe kontraktorë të kompanisë  “Ferronikeli” janë kërcënuar dhe penguar gjatë kryerjes së punës.

Për këtë rast ka reaguar vet kompania përmes një komunikate për media.

Kjo kompani ka treguar se kjo nuk është hera e parë që punëtorët e tyre kërcënohen dhe pengohen në punë.

“Sikurse disa herë më parë, punëtorët e kompanisë, u penguan, fyen, kërcënuan dhe kanosën në prezencë të zyrtarëve policorë, gjatë përpjekjeve për të punuar. Ky bllokim i përsëritur po shqetëson dhe po krijon vonesa në rifillimin e punës në fabrikën e “NewCo Ferronikeli”-t ndërkohë që organet e zbatimit të ligjit veprojnë në mënyrë jo-proporcionale përballë situatës së qartë, duke mos garantuar të drejtën në pronë dhe sigurinë e punëtorëve”, thuhet në  këtë reagim.

Ky është reagimi i plotë i kompanisë “Ferronikelit”:

“NewCo Ferronikeli” dënon dhunën verbale të ushtruar ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të kompanisë gjatë punimeve në një parcelë, pronë e kompanisë brenda kuadrit ligjor, lejeve dhe licencave të lëshuara nga institucionet Republikës së Kosovës. Në asnjë moment nga ana e punëtorëve apo e kontraktorëve të “NewCo Ferronikeli”-t nuk ka pasur provokime, kërcenime apo ushtrim dhune.

Sikurse disa herë më parë, punëtorët e kompanisë, u penguan, fyen, kërcënuan dhe kanosën në prezencë të zyrtarëve policorë, gjatë përpjekjeve për të punuar. Ky bllokim i përsëritur po shqetëson dhe po krijon vonesa në rifillimin e punës në fabrikën e “NewCo Ferronikeli”-t ndërkohë që organet e zbatimit të ligjit veprojnë në mënyrë jo-proporcionale përballë situatës së qartë, duke mos garantuar të drejtën në pronë dhe sigurinë e punëtorëve.

Parcelat ku punëtorët dhe kontraktorët e “NewCo Ferronikel” duhet të punojnë janë në pronësi të kompanisë  duke qenë në listën e aseteve të kompanisë që para privatizimit të saj. “NewCo Ferronikeli” nuk ka pasur asnjë detyrim ndaj subjekte private për kalimin e këtyre parcelave si pjesë integrale e aseteve operuese të kompanisë. Këto parcela toke janë kaluar në pronësi të “NewCo Ferronikeli” nga AKP, pa asnjë detyrim kompensimi, por me detyrime të tjera si vënia në punë për qëllime industriale. “NeëCo Ferronikel” posedon certifikatën e pronësisë, lejet mirenerare dhe lejen për largimin e masës drunore sipas të gjitha ligjeve të shtetit të Kosovë, duke plotësuar detyrimet përkatëse.

Kompania “NewCo Ferronikeli” është vënë në dijeni për pretendimet pronësore nga disa banorë lokalë të këtyre parcelave, në zonën pyjore të Çikatovës së Vjetër dhe i ka ofruar ndihmë këtyre banorëve që këtë çështje ta ndjekin nëpërmjet rrugëve ligjore për pretendimet e tyre karshi institucioneve shtetërore. Ndonëse pa asnjë detyrim ligjor, menaxhmenti i lartë i kompanisë, ka trajtuar me ndjeshmërinë më të lartë shqetësimet e banorëve.

Pavarësisht dashamirësisë së kompanisë për të ndihmuar banorët të zgjidhin shqetësimin e tyre me organet kompetente, kërcënimet dhe dhuna janë të papranueshme dhe kësisoj të denoncueshme. Përfaqësuesit e kompanisë, tashmë kanë dhënë deklaratat te organet përkatëse, për incidentin e djeshëm por edhe për të gjitha kërcënimet dhe kanosjet e javëve të fundit ndaj punëtorëve dhe kontraktorëve të kompanisë, gjatë shfrytëzimit legjitim e të drejtë të pronës në Çikatovë të Vjetër.

Kompania “NewCo Ferronikeli” është plotësisht në të drejtën e saj për shfrytëzimin e pronës, për të cilën ka të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të lëshuar dhe vërtetuar nga institucionet e Kosovës. Sikur të kishte pasur vetëm një pengesë të vogël ligjore, “NewCo Ferronikeli” nuk do të kishte nisur punimet. Gjithashtu, duhet theksuar fakti që rezervat minerare në këto parcela janë të një rëndësie vitale për operimin e fabrikës dhe kthimin në punë të saj.

Siç kemi kërkuar vazhdimisht, kërkojmë edhe një herë nga institucionet e Republikës së Kosovës që të krijojnë kushtet e nevojshme që puna e kompanisë në pronën e saj të vazhdojë e papenguar. Deri tani, kemi kërkuar disa herë nga organet që të zbatohet ligjshmëria e së drejtës sonë. Ajo që kemi kërkuar është që shteti të sigurojë të drejtën ligjore dhe të garantojë sigurinë fizike dhe punën e punëtorëve të “NewCo Ferronikeli” apo kontraktorëve. Kemi kërkuar nga organet e sigurisë të shtetit të Kosovës, që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje shqetësuese, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.

Gatishmëria e shtetit për të garantuar operimin e papenguar të një investitori të madh, siç është “NewCo Ferronikeli”, jep mesazhin e mirë te të gjithë investitorët e jashtëm që mund të jenë invesitorë potencialë në Kosovë. Braktisja nga mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë, çon një mesazh të keq dhe të dëmshëm për shtetin, por edhe për ekonominë e vendit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë