Banorët e Çikatovës së Vjetër protestojnë kundër dhënies së pronave private “Ferronikelit”, thonë se drejtori i provokoi me kazmë

Banorët e fshatit Çikatovë e Vjetër të Drenasit, kanë protestuar të mërkurën kundër dhënies së pronave private për Ferronikelin dhe gjatë kësaj proteste, ata janë ballafaquar me menaxhmentin e Ferronikelit.
Sipas banorëve, rasti ka ndodhur në lagjen “Morina” të këtijj fshati dhe se ka pasur kërcënime nga menaxhmenti i Ferronikelit, të cilët kanë dalë në tokat e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Qytetari Ardian Morina, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë provokuar nga drejtori i Ferronikelit, Genci Beribashi me siç thotë ai kazmë.
“Na ka provoku drejtori i Ferronikelit me kazmë në dorë. Mu në kam më ka ra pak me bisht, ka gra qe iu ka ra t’lig, ka edhe burra qe iu ka ra të lig, në prezencë të policëve na ka provoku”, u shpreh ai.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se policia ende nuk ka informacion të veçantë në lidhje me këtë rast.
Kurse, qytetari Morina tregoi se Ferronikeli, po pretendon se janë pronat e tyre, kurse banorët janë ata që e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë.
“Ai po pretendon qe pronat janë të tina, na s’ jena kompensu, ne e gëzojna të drejtën e trashëgimisë, landa është në gjykatë, e lutëm prej tokës në qiell që mos të këqyr me dhunë me hi se ka me dalë gjykata me e vleresu pronën brenda një periudhe shumë të shkurtë dy-tre ditë, tha unë hi punoj edhe nuk ju njoh”, shtoi ai.
Ndërsa, theksoi se në mesin e personave të alivanosur ishte edhe nëna e tij 67 vjeçe, e cila sipas tij u frikësua nga kërcënimet e drejtorit me kazmë.
Ndryshe, në pamjet e dërguara nga banorët, shihet se gjatë protestës kishte ballafaqim mes qytetarëve dhe menaxhmentit, ndërsa zyrtarët policorë po tentonin ta qetësonin situatën. /BetimipërDrejtësi