Deklarohet i pafajshëm për korrupsion ish-drejtori i Urbanizmit në Drenas

Ish-drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Hysenaj është deklaruar i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve.

Prokurorja Gjonbalaj deklaroi se aktakuza ndaj të akuzuarit Hysenaj është e bazuar në prova të mjaftueshme, administrimi i të cilave gjatë procedurës gjyqësore do ta vërtetojë gjendjen faktike të përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Hysenaj, avokati Tahir Rrecaj në fjalën e tij hyrëse tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me provat të cilat do të administrohen edhe nga deklarimet që do të paraqesin përfaqësuesit e palës së dëmtuar – Komuna e Drenasit, do të vërtetohet se aktakuza është në tërësi e pabazuar.

“Në rastin konkret vepra nuk përbën vepër penale dhe se kemi të bëjmë me një raport të pastër juridiko civil, pra një marrëdhënie kontraktuale në mes të Komunës të Drenasit dhe kompanisë “Kulla Com” të cilën e përfaqëson këtu i akuzuari Idriz Hysenaj.” tha Rrecaj.

Sipas avokatit, kontrata për punë me koncesion për ndërtim të objektit banesor e lidhur në mes të Komunës së Drenasit dhe “Kulla Com” do të vërtetojë pafajësinë e të mbrojturit të tij.

“Vetëm kjo kontratë si e tillë vërteton pa asnjë mëdyshje dy fakte kryesore: Një, që kemi të bëjmë me një raport juridiko-civil në mes të Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Kulla Com” dhe dy, që është po ashtu fakti vendimtar për gjykatën, prokurorinë dhe palët në procedurë ,se i mbrojturi im sipas kësaj kontrate nuk e ka cilësinë e personit zyrtar në kuptim të nenit 120 të kodit penal sepse të gjitha lëshimet eventuale, mos respektimi i kushteve të kontratës apo edhe ndërtimeve tjera, edhe nëse kanë ekzistuar këto veprime nuk bëjnë pjesë në detyrat dhe përgjegjësit e tij zyrtare që në atë kohë i ka pasur si drejtor i urbanizmit”, ka deklaruar Rrecaj.

Sipas tij, një çështje tjetër që do të vërtetohet gjatë shqyrtimit gjyqësor është se Komuna e Drenasit në mënyrë të njëanshme, me një aktvendim, i kishte ndryshuar kushtet e kontratës sa i përket afatit me koncesion, ashtu që nga afati 99 vjeçar sa ka qenë sipas kontratës e kishte ndryshuar në afat prej 40 vjetësh, vendim ky i cili ishte anuluar nga gjykata, me ç’rast tha se kushtet e koncesionit lidhur me afatin kishin mbetur sipas kontratës.

Fjalën hyrëse të avokatit e ka mbështetur në tërësi i akuzuari Hysenaj.

Ndryshe, për këtë seancë ishte ftuar në cilësi të dëshmitarit Jeton Rama, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në seancë gjithashtu ka munguar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Drenasit.

Andaj, në këto rrethana seanca e së enjtes ka përfunduar dhe ajo e radhës është caktuar për 8 prill.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Idriz Hysenaj në mes të periudhës kohore nga viti 2014 e deri më 15 tetor 2019, në vazhdimësi, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti në cilësinë e personit zyrtar, fillimisht asamblist i Kuvendit Komunal në Drenasit e pastaj drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në këtë komunë, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij, ua kishte dhënë me qera në shuma të ndryshme gjashtë banesa në kate të ndryshme personave N.K, B.O, D.H, L.B, J.R, M.S, të cilat kanë qenë pronë e komunës në fjalë.

Sipas aktit akuzues, në disa raste u kishte dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës së Drenasit personave të caktuar nga të cilët kishte marrë tokën për ndërtimin e banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës së tij “Kulla Com”, deri në përfundim të banesave .

Në këtë mënyrë, në aktakuzë thuhet se K.K Drenas i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ndërsa vetes dhe kompanisë së tij i kishte sjell dobi të kundërligjshme pasurore.

Me këtë, Hysenaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë