Lebensraum-i i Hitlerit, Doktrina e Brezhnjevit dhe vozhdi Putin

Siç thotë shkrimtari rus Vasily Grossman në njëmijë vjetët e ekzistencës së saj Rusia ka përjetuar gjithçka, me përjashtim të lirisë, dhe këtu qëndron edhe thelbi i parehatisë së vazhdueshme të saj. Në vitet e fundit Perëndimi e kishte bindur veten për parrezikshmërinë e kësaj parehatie. Ajo që po ndodhë sot në Ukrainë po na tregon se sa e gabuar ishte kjo bindje. Fundamentalisht e gabuar

Blerim Latifi

“Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ka qenë katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”. Që nga ardhja e tij në krye të Rusisë, Vladimir Putini vazhdimisht e ka përsëritur këtë deklaratë. Shumica e atyre që e kishin dëgjuar dhe e dëgjonin herë pas here këtë deklaratë, kishin zgjedhur injorimin e saj, me idenë se kjo ishte thjesht një interpretim i të kaluarës, në mesin e shumë interpretimeve të saj. Askush nuk kishte dashur të imagjinonte se Putini, në ndërkohë, po mendonte të mos kufizohej vetëm në interpretimin e të kaluarës, por edhe të bënte diçka tjetër : të riparonte ato që ai i quante dëmet katastrofale të saj.

Një përjetim i caktuar kurrë nuk është një ngjarje e izoluar në psikikën tonë. Ai gjithmonë është i lidhur me përjetime të tjera. Ashtu siç çdo gjë në këtë botë është e lidhur me gjëra të tjera. Monadat e të urtit Leibnic ekzistojnë vetëm në spekulimet e tij metafizike. Kështu përjetimi i rënies së Bashkimit Sovjetik si një katastrofë e madhe, me kohë Putinin duket se ka e shtyrë drejt një përjetimi tjetër, drejt nostalgjisë për kohën kur Bashkimi Sovjetik qëndronte në këmbë dhe merrte pjesë në formësimin e rrjedhave të historisë botërore.

Nostalgjia, për nga vetë thelbi i saj, është një përjetim që e ushqen mitin e kohërave të arta të së kaluarës dhe ky mit pastaj shpie natyrshëm në vizionet e mëdha të rilindjes së tyre.

Vladimir Sorokin, njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm rusë të ditëve të sotme, në romanin e tij “Dita e Opriçnjikut”, e anticipon qysh në vitin 2006 rrëshqitjen e rrezikshme të Rusisë së Putinit në një regjim autoritarist, në të cilin arbitrariteti i pushtetarëve, frika e qytetarëve, dhuna kundër disidentëve të regjimit, korrupsioni i zyrtarëve nga fundi deri në majën e piramidës shtetërore dhe një sentiment antiperëndimor i kultivuar nga aparati propagandistik i shtetit, kanë forcën e ligjit.

Një regjim i tillë, shkruan Sorokin, mbahet në këmbë nga kulti i sundimtarit absolut dhe mitologjia e Rilindjes së Rusisë së Lavdishme. Ky në fakt është edhe qëllimi i madh përmes të cilit Putini e ka ndarë mendjen për t’i dhënë kuptim ekzistencës së tij në botë dhe në krye të Rusisë.

Por ky vizion mitiko-politik, në thelbin e tij, është vizion fashist, sepse, siç shkruan njëri nga studiuesit më të mëdhenj të fashizmit, Roger Griffin, fashizmi përbën një ideologji ultra-nacionaliste, që në themel të saj e ka mitin palingjenetik. Ky term përbëhet nga dy fjalë : palin, që do të thotë përsëri, dhe genesis, që do të thotë krijim, lindje. Pra një mit palingjenetik është një mit i rikrijimit, i rilindjes. Domethënia e tij përputhjet saktësisht me atë që po bën Putini me forcën e tankseve : rikrijimin e Rusisë së dikurshme sovjetike.

Një regjim autoritarist shndërrohet në regjim fashist në momentin kur ai mësyn të dalë jashtë kufijve të tij, për t’u ndërhyrë të tjerëve në jetën dhe punët e tyre. Komponenta imperialiste është pjesë thelbësore e tij. Dikur këtë komponentë Hitleri e materializoi përmes politikës së Lebensraum, e cila nënkuptonte pushtimin nazist të të gjithë Europës Lindore. Ky pushtim arsyetohej me marrëzinë naziste, sipas të cilës kombi gjerman nuk mund të ekzistonte pa kontrollin mbi këtë hapësirë, e cila në fjalorin nazist quhej “hapësira vitale e volkut gjerman”.

Njëjtë është duke vepruar edhe Putini sot. Lebensraumi i tij është hapësira e dikurshme e Bashkimit Sovjetik. Polonia e dikurshme e Hitlerit, sot është Ukraina e Putinit. Urrejtja e dikurshme e Hitlerit për Rendin Botëror të Versajës, që doli pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, sot është urrejtja e Putinit për Rendin Botëror që doli nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Dikush mund t’i marrë me rezerva këto analogji, por analogjitë janë shumë shpjeguese në rastet kur kemi të bëjmë me njerëz që udhëhiqen nga vizione të errta për ringjalljen e strukturave të vdekura politike të së kaluarës.

Kur ne duam të rikrijojmë diçka të vdekur, gjëja e parë që bëjmë është imitimi i saj. Mimikria e saj. Rilindja Europiane, në fillim të kohëve moderne, donte të ringjallte kulturën e antikitetit greko-romak duke imituar shpirtin e tij. Jakobinët francezë imitonin vrasësit romakë të Cezarit. Kryengritësit nacionalistë të shekullit të XIX imitonin kalorësit dhe sundimtarët e mesjetës. Natyrisht, nga ky rregull nuk bën përjashtim as Putini. Përpjekjen për ringjalljën e sferës së dikurshme të hegjemonisë sovjetike, ai po e zbaton duke imituar veprimet e dikurshme të Bashkimit Sovjetik, i cili e shtypte me forcë çdo përpjekje të vendeve socialiste të Europës Lindore për të dalë nga tutela e tij.

Marshimi i sotëm i tankseve ruse drejt Kievit ka aq shumë gjëra identike me marshimin e tankseve ruse drejt Budapestit dhe Pragës! Madje mund të thuhet se politika, të cilën Putini po e ndjek në raport me shtetet fqinje të Rusisë, është një ringjallje e Doktrinës Brezhnjev, e cila shteteve socialiste të Europës Lindore u njihte vetëm sovranitetin e kufizuar në raport me Moskën. Me fjalë të tjera : këto shtete mund të ishin të pavarura vetëm deri aty ku nuk e cenonin hegjemoninë ideologjike dhe gjeopolitike të Moskës mbi to.

Saktësisht të njëjtën gjë po e synon Putini sot : sipas tij shtetet, që dikur ishin republika sovjetike, mund të jenë të pavarura vetëm deri në atë shkallë sa nuk bijnë në kundërshtim me interesat gjeopolitike të Moskës. Nëse ndodhë ky kundërshtim, atëherë Rusia rezervon të drejtën për t’i ndëshkuar.

Brezhnjevi kishte reaguar me brutalitet ndaj Pranverës së Pragës të vitit 1968 nga frika se liberalizimi i Çekosllovakisë mund të kishte efekt ngjitës për të gjithë vendet tjera të bllokut komunist. Nga e njëjta frikë udhëhiqet sot edhe Putini : frika se një Ukrainë liberale dhe demokratike do të nxisë aspiratat demokratike në vendet tjera të ish Bashkimit Sovjetik dhe në vetë Rusinë e tij autoritariste. Në mendjen e Putinit dhe njerëzve të tij këto aspirata perceptohen si kërcënim jo vetëm për pushtetin e tij, por për vetë ekzistencën e Rusisë. Demonizimi i demokracisë në Rusinë e Putinit, përveç faktit se i shërben mirëmbajtjes së autoritarizmit të tij, e reflekton edhe faktin se në gjithë historinë e saj Rusia asnjëherë nuk i ka jetuar demokracinë dhe liritë e saj. Siç thotë diku shkrimtari rus Vasily Grossman në njëmijë vjetët e ekzistencës së saj Rusia ka përjetuar gjithçka, me përjashtim të lirisë dhe këtu qëndron edhe thelbi i parehatisë së vazhdueshme të saj. Në vitet e fundit Perëndimi e kishte bindur veten për parrezikshmërinë e kësaj parehatie. Ajo që po ndodhë sot në Ukrainë po na tregon se sa e gabuar ishte kjo bindje. Fundamentalisht e gabuar.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë