Rrëfimi i burrit nga Drenica: “I varrosa dhe i putha të dytë në faqe për të fundit herë” (Video)

“Unë kam qenë më disa ushtarë më larg, nuk kam qenë afër familjes se kam menduar që familja kanë shkuar me refugjatët e tjerë, por ata kishin pas mbetur aty, familja ime dhe një familje e një kushëriri që edhe djali i tij është varë me timin”, tregon Sylejman Haxha nga Aqareva e Skënderajt, i cili atë ditë ishte në istikame duke luftuar përkrah bashkëluftëtarëve të tij në mbrojtje të vendit.

Ai tregon momentin se si e mori fillimisht lajmin se fëmijët e tij dhe të fqinjit të tij ishin plagosur dhe se si e kuptoi se si ata tashmë kishin ndërruar jetë.

“Ka ardhë një bashkëfshatar ka kaluar andej dhe na tha u janë plagosur disa fëmijë. Kemi shkuar me Murselin dhe i kemi gjetur ka ishin të strehuar. Kur kemi hyre aty e kam pyetur bashkëshorten time i them ku është Rafeti? Tha Rafeti ka vdekur! Kam bërtitë shumë, jo pak por shumë, fëmijët e tjerë nuk kishin pas ditur ende që ai ka vdekur ai dhe djali i kushëririt, Nexhat quhej.

Sylejman Haxha, në rrëfimin e tij për “ZËRAT E LUFTËS”, tregon se si i gjeti të vrarë djalin e tij Rafetin dhe djalin e kushëririt të tij, Nexhatin të cilët ishin edhe shokë klase. Ai tregon se si i varrosi ata duke i puthur në faqe si lamtumirë të fundit që ua kishte dhënë.

“I kemi varrosur në livadhe që i kemi aty, natën se i kemi pasë në çdo lagje kanë qenë shkijet. S’ka pasur lagje që nuk ka qenë me ushtarë e paramilitarë e çetnik. Në 11 të natës i kemi varrosë, ashtu siç ishin të veshur, i kam shti në she dhe i kam puthur dytë në faqe dhe në atë moment s’kam qitë lotë. Ua kam hequr vetëm këpucët. Por të nesërmen kur kam shkuar te varret dhe i kam parë këpucët e tyre, aty kam qarë jo pak por shumë”, tregon Haxha.

Në ditën kur u vranë dy nxënësit e klasës së pestë, Rafet e Nexhat Haxha, ishin plagosur edhe 7 civilë të tjerë, pjesëtarë të dy familjeve Haxha të Aqarevës, të cilët edhe pse me plagë të rënda tek pas dy dite kishin marrë ndihmë mjekësore, shkaku i luftimeve të ashpra.

Emisioni “ZËRAT E LUFTËS” nga Islam Morina, është prodhim i Gazetës Infokus, që sjellë rrëfime autentike të atyre që u mbijetuan masakrave e torturave çnjerëzore të kryera nga regjimi serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Rrëfimin e plotë mund ta ndiqni në videon në vijim:

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë