Mbahet mbledhja e Jashtëzakonshme me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Mbahet mbledhja e Jashtëzakonshme me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Më rastin e shënimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komuna e Drenasit së bashku me anëtarët e Kuvendit të Komunës, kanë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme.

Në këtë mbledhje solemne merrnin pjesë, kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës dhe qytetarë.

Mbledhjen e ka kryesuar kryesuesi i Kuvendit Komunal, Milaim Hajdari, ndërsa të pranishmëve ju drejtua me fjalë rasti për shënimin e kësaj feste, kryetari Ramiz Lladrovci, drejtorë të drejtorive komunale si dhe anëtarë të Kuvendit Komunal të Drenasit

Kryetari Lladrovci duke uruar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka theksuar se këto data duhen të jenë momente reflektimi për të gjithë ne, për të parë sa e gjatë, sa e mundimshme e sa sfiduese ka qenë e kaluara jonë, e në këtë drejtim roli i femrës në shoqërinë kosovare ka qenë jetik.

“Në këtë ditë të shënuar, përgëzoj nënat, gratë e motrat që më përkushtim u vunë në shërbim të atdheut, u bënë krah i baballarëve, vëllezërve e burrave të vet, me pushkë e me pendë, në të gjitha mënyrat, për arritjen e lirisë së Kosovës.

Në këtë ditë, kujtojmë me nderim të thellë, heroinën Xhevë Krasniqi-Lladrovci, mësuesen dhe edukatoren, luftëtaren dhe bashkëshorten, që nëpërmjet personalitetit të saj, edhe të gjitha gratë që dhanë kontributin për çlirimin dhe përparimin e vendit tonë.
Nderimi dhe respekti më i madhe që mund dhe duhet t’i bëhet atyre sakrificave është që punët tona t’i kryejmë me nderë, përkushtim dhe profesionalizëm, që ligji dhe zbatimi i tij të jetë udhërrëfyes i punës sonë.
Gratë nuk duan vetëm lule, natyrisht se lulet janë mëse të mirëseardhura, por para kësaj gratë duan shance të barabarta, duhet t’u jepet mundësia për të dhënë kontribut, unë e kam bërë dhe po e bëjë këtë, e kam bërë që kur kam ardh në krye të Komunës, e kam bërë dhe jam krenar për këtë.
E kam bërë sepse këtë ma ka determinuar e kaluara ime, trungu im familjar, ngase jam rritur dhe edukuar me ndjesinë e barabarësisë se burrit dhe gruas, kjo barabarësi e dëshmuar deri në vet-flijim.
Unë kur e vendosa standardin 50% te drejtorëve gra dhe 50% burra, ne fund të vitit 2016, një standard të tillë nuk e kishte asnjë komunë e as institucion, e bëra unë, bëra mirë”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Pas fjalimeve për Ditën Ndërkombëtare të Gruas u votua për shfuqizimin e vendimit Nr. 12-400-49872, të dates 30.09.2021, i cili me shumicë të votave të anëtarëve të Kuvendit Komunal të Drenasit, kaloi me sukses.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë