E papritur, në mes të luftës, Rusia dhe Ukraina po bëjnë bisedime për t’i nisur negociatat

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe presidenti rus Vladimir Putin po diskutojnë kohën dhe vendin për të zhvilluar bisedime. Sipas një zëdhënësi të Zelensky, Ukraina është e gatshme të negociojë për paqe dhe një armëpushimi të mundshëm, raporton Reuters.
Ukraina ka mohuar raportet se ka refuzuar ofertën për bisedime për paqen. Zëdhënësi i presidentit të Ukrainës, Serhiy Nykyforov shkroi në Facebook se “duhet të mohojë deklaratat se kemi refuzuar zhvillimin e bisedimeve”.
“Ukraina ishte dhe mbetet e gatshme të diskutojë për përfundimin e luftimeve dhe për paqen. Ky është pozicioni ynë i pandryshuar”, shtoi ai.
“Ne u pajtuam me ofertën e presidentit rus dhe pikërisht në këto momente palët janë duke u konsultuar për vendin dhe kohën e zhvillimit të procesit të negociatave”, tha Nykyforov.
Nga ana tjetër, Rusia ka deklaruar se bisedimet mund të fillojnë vetëm pasi ushtria ukrainase të dorëzojë armët.
Ndërkohë po sot, Departamenti amerikan i Shtetit tha se oferta e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime në Ukrainë, nuk “është diplomaci e vërtetë”.
Zëdhënësi i DASH’it, Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytën e armës”.