Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit nga Drenasi, ja për çfarë po gjykohen ata

B. N dhe A.N., janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se i kishin transferuar në llogari bankare afër 6 mijë euro të dëmtuara me reagjent kimik, e më pas i kishin tërhequr nëpër bankomate para të padëmtuara.
Një deklarim të tillë, të akuzuarit, secili veç e veç, e kanë bërë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Milot Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e ndjejmë veten fajtorë”, kanë deklaruar të akuzuarit B.N dhe A.N.
Pas kësaj, gjykatësi Mentor Bajraktari të njëjtit i njoftoi se në afatin 30 ditor kanë të drejtë të kundërshtojnë provat e caktuara në aktakuzë ose të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës.
Sipas aktakuzës së ngritur me 20 dhjetor 2021, B.N nga 21 shkurti e deri më 11 mars 2021, kishte siguruar para të gatshme 118 bankënota në vlerë 50 euro, në shumë totale prej 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur, e më pas të njëjtat para të dëmtuara nga një reagjent kimik, ua kishte dhënë të akuzuarit-nipit të tij A.N dhe vajzës së tij, për t’i deponuar në llogaritë e tyre në “NLB Bank”, në Drenas.
Sipas aktakuzës, këto para pasi i kishin deponuar në llogaritë e tyre bankare, i kishin tërhequr në bankomate të tjera në shumë të njëjtë, ndërsa kishin tërhequr para të tjera të padëmtuara dhe të njëjtat ia kishin dorëzuar të akuzuarit B.N, duke tentuar të mashtrojnë bankën dhe të maskojnë origjinën e vërtetët të parave.
Me këto veprime, të dëmtuarës “NLB Bank” në Drenas i kishin shkaktuar dëm material në vlerën e parave të deponuara dhe të tërhequra, ndërsa për vete kishin realizuar dobi pasurore të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të shtëpisë, të akuzuarit B.N i janë gjetur dhe sekuestruar 3 bankënota në vlerë 50 euro (gjithsej 150 euro), të dëmtuara nga kontakti me reagjent kimik.
Për këto veprime, i akuzuari B.N po ngarkohet me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër po ngarkohen edhe i akuzuari A.N.