Kriza në Ukrainë godet Kosovën, paralajmërohet shtrenjtim i miellit

Kriza në Ukrainë, pas aneksimit të dy rajoneve të saj nga Rusia, do të ketë impakt direkt në ekonominë evropiane, sikurse dhe në Kosovë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se pritet të shtrenjtohen edhe më derivatet e naftës, gruri dhe metalet.
“Janë produkte që do të prekin bazamentin e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Shala.
“Situata e luftës në Ukrainë, apo bombardimi rus në Ukrainë, do të reflektojë jo vetëm në pjesën ku po zhvillohen luftimet, por do të ketë impakt direkt edhe në tërë ekonominë evropiane dhe më gjerë. Në Kosovë do të reflektojë shumë shpejt në ngritjen e derivateve të naftës”, ka thënë Shala.
Gjithashtu pritet shtrenjtimi i miellit dhe metaleve, pasi Ukraina e ka (pasur) të zhvilluar industrinë e rëndë të përpunimit të metaleve.
“Është e mundur për shkak të importeve të mëdha që ka pasur rajoni nga Ukraina me grurë. Një faktor ndikues ka qenë furnizimi në tregun regjional me metale të rënda për shkak se industria e rëndë e përpunimit të metaleve ka qenë mjaft e zhvilluar”, ka shtuar ai.
Këto shtrenjtime, bashkë me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike, do ta vështirësojnë edhe më shumë jetën e qytetarëve në Kosovë.