Dikush i pret qëllimshëm kabllot metalike të transparentit me fotografi të Thaçit dhe Veselit

Është dëmtuar flamuri me fotografitë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, me mbishkrimin “Liria ka emër”.
Ky flamur ishte vendosur në rreth-rrotullim në hyrje të qytetit të Skenderajt, shkruan lajmi.net.
Lidhur me rastin ka reaguar, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, teksa e quajti këtë veprim si të papranueshëm dhe të ulët.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se “dikë po e pengon e vërteta”.
“Historia nuk mund të rishkruhet me veprime të tilla. Drenica nuk i harron bijtë e saj”, ka shkruar Nura.
Siç thekson Nura, një veprim i tillë ka veç një adresë e cila gjendet jashtë kufijve.
Ai ka bërë të ditur se tashmë organet e rendit po merren me rastin.
“Ekzekutorët duhet t’i gjejë policia, që tashme po merret me rastin”, shtoi ai.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë!
Një akt i tillë si ky i prerjes së qëllimshme të kabllove metalike të transparentit me fotografi të Thaçit e Veselit me mbishkrimin “Liria ka emër”, është i papranueshëm dhe tepër i ulët.
Dikënd po e pengon e vërteta.
Historia nuk mund të rishkruhet me veprime të tilla.
Drenica nuk i harron bijtë e saj.
Një veprim i tillë ka veç një adresë e cila gjendet jashtë kufijve, ndërsa ekzekutorët duhet t’i gjejë policia, që tashme po merret me rastin.