Drenasi shënon 14 vjetorin e Pavarësisë me homazhe, seancë solemne dhe aktivitete të tjera kulturore
Për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, me kabinetin e kryetarit, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Komunën e Drenasit.
Në orët e hershme të mëngjesit, nënkryetari Shala me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në sheshin “Fehmi Lladrovci”, pranë shtatorës së Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiçina e Ilaz Kodra e shtatorja e doktorit Hafir Shala dhe homazhet kanë vazhduar për nderim në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz, në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc.
Për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë, është mbajtur edhe një ekspozitë në hollin e sallës së kulturës, ku nënkryetari Shala bashkë me stafin dhe asamblistët e vizituan piktorin Nazmi Heta, të cilin e përgëzuan për pikturat e bukura dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm që asnjëherë nuk heziton të shfaq në opinion publik.
Gjithashtu është mbajtur edhe Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Milaim Hajdari, i cili tha se për dallim nga festat tjera, edhe ky 14 vjetor vendin e gjënë pa themeluesit e shtet ndërtimit, të cilët padrejtësisht po mbahen në dhomat e specializuara të Hagës.
Ndërsa, para të pranishmëve ne këtë Seancë Solemne, nënkryetari Shala mbajti këtë fjalë rasti (fragment);
Të nderuar asamblistë të Komunës së Drenasit, I nderuari Kryetar Hajdari, Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, Mysafirë të nderuar, Zonja e zotërinj,
Qytetarë, gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!
Në këtë ditë kujtojmë sakrificat për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar e gjuhës sonë. Në mendjet tona na parakalojnë shpërnguljet e mëdha nga trojet tona të viteve 30 e 50 të shekullit të kaluar, aksionet dhe dhunën kërkim të armëve, demonstratat e vitit 1968, 1981 e 1990; kujtojmë të rinjtë tanë të vrarë në kazermat e armatës jugosllave, rezistencën, kujtojmë njerëzit tanë të vrarë në luftërat në Bosnjë e Kroaci, ditët e rënda të popullit tonë nga perjashtimet nga puna, bastisjet e maltretimet në rrugë e shtëpi, rezistencën e mësimdhënësve dhe përkrahjen për shkollën shqipe kundrejt mohimit të gjuhës dhe ekzistencës sonë, helmimet në shkolla.
Sot kujtojmë rezistencën e vazhdueshme, sakrificën heroike e dhe unike të familjes Jashari. Kujtojmë paraqitjen e UÇK-së, konfrontimet e para me forcat e armikut, luftën, mundimet e vuajtjet e popullatës sonë, torturat çnjerëzore, përdhunimet, vrasjet e masakrat, kujtojmë plagën e hapur, 36 personat e pagjetur nga komuna jonë. Kujtojmë 1250 fëmijë të vrarë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Gëzuar Dita e Pavarësisë!