Rihapet QMF-ja në Likoc

Është rihapur Qendra e Mjekësisë Familjare në Likoc, pasi ishte mbyllur që nga tetori i vitit të kaluar për shkak të procesit të rinovimit.

Kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe drejtoresha për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, Rrezarta Hasani – Ibrahimi, kanë vizituar sot këtë qendër mjekësore, ku janë pritur nga personeli mjekësor.

Me këtë rast, kryetari Nura i ka siguruar mjekët dhe infermierët e QMF-së në Likoc, përkrahje në furnizim të materialit dhe nevojave të tjera që kërkohen, me qëllim që qytetarët, përkatësisht pacientët të kenë shërbimin sa më cilësor.

Në një reagim në facebook, i pari i Skenderajt, ka shkruar:
“Punët e mira për të përmirësuar shërbimet shëndetësore në komunën e Skenderajt vazhdojnë. Ashtu siç kemi premtuar, nga sot është rihapur Qendra e Mjekësisë Familjare në Likoc, pas funksionalizimit para 3 dite të repartit të radiologjisë në QKMF. Pas rrënimit të një ndërtimi pa leje në oborrin e kësaj qendre në Likoc, nga sot këtu rikthehen shërbimet mjekësore për pacientët e kësaj bashkësie lokale, pa qenë nevoja të bëjnë kilometra udhëtim në kërkim të mjekimit.
Mjekëve u uroj sa më pak punë!”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë