Mbahet mbledhja e parë e Kuvendit Komunal të Skenderajt, këto janë vendimet e marra

Është mbajtur seanca e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Skenderajt, në të cilën janë formuar dy komitetet obligative të legjislaturës së re, ai për Politikë e Financa dhe për Komunitete.
Për Komitetin për Politikë e Financa janë votuar 3 anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, 2 nga Lista e Pavarur Ideal dhe 1 nga Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast është respektuar edhe kuota gjinore.
KPF-së ka këtë përbërje:
Kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahaiu (me automatizëm), Mentor Mehmeti, Fikret Rexhepi, Arjeta Rama, Fatbardha Haliti, Ilir Ejupi dhe Florijana Halili.
Kuvendi gjithashtu ka themeluar edhe Komitetin për Komunitete, ka aprovuar Planin e Punës së Ekzekutivit për vitin 2022, i cili parasheh orientim të qartë të zhvillimit ekonomik, me aktivitete konkrete në funksion të transformimit pozitiv të komunës së Skenderajt, ka miratuar propozim-vendimin për formimin e komisionit përzgjedhës për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, si dhe ka miratuar me votë unanime të të pranishmëve edhe propozimin e kryetarit Fadil Nura, për shpallje të qytetarëve të nderit dy ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Esad Çollaku e Ferid Berisha, për të cilën çështje ceremonia do të organizohet me 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.