Arrestohen dy të dyshuar për rastin e ndodhur në Shtrubullovë, policia jep informacionet e fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht, Njësia e Hetimeve të Përgjithëshme, ka arrestuar sot dy të dyshuar për një rast të “Privimit të kundërligjshëm të lirisë”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur më datë 26.01.2022, rreth orës 22:45, në fshatin Shtrubullovë të komunës së Drenasit, me ç‘rast dyshohej se një person është rrëmbyer nga disa të dyshuar.
Viktima, mashkull, 33 vjeç, pasi ishte rrëmbyer nga të dyshuarit ishte dërguar në një lokacion në komunën e Lipjanit, me ç ‘rast ndaj tij ishte ushtruar dhunë dhe forma të ndryshme të kanosjes.
Mbështetur në informacionet e para policia kishte filluar hetimin përfshirë këtu bastisjet në lokacione të ndryshme si edhe ndërmarrjen e një varg veprimesh operativo policore, që rezultuan me identifikimin e personave të dyshuar.
Të dyshuarit;
-E. S, mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe,
-Gj. S, mashkull, 55 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
pas arrestimit me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, ndërkohë që hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.
Dyshimet janë ngritur për veprat “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndim trupor”, si dhe “Kanosje”