Avdyli i kundërpërgjigjet Lushtakut: Nuk ka pasur vetëm Drenica viktima
Në Kuvend të Kosovës ka shpërthyer debat për luftën e fundit në Kosovë. Gjithçka filloi kur shumica nuk ia votoi deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, një propozim për ujin në Skenderaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i ka reaguar deputetit Lushtaku, duke thënë se gjuha e tij dhe krahasimi me regjimin serb të paraluftës, është i papranueshëm.
“Jemi shumë vend i vogël, që të përçahemi me krahina”, ka thënë Avdyli.
“Nuk është vetëm në Drenicë që ka pasur viktima. Ka pasur edhe në Krushë të Madhe, komplet fshati i Krushës së Vogël, krejt burrat e Krushës janë vra. Është në Lybeniq të Pejës, është në Meje, në Slovi të Lipjanit. Çdokënd ka pasur viktima”, shtoi Avdyli.
Deputeti i LVV-së ka thënë se e inkurajon Lushtakun që të flasë për projekte të vendit prej ku ai vjen, por jo me gjuhë, që krijon përçarje.
Deputeti Lushtaku tha në Kuvend se deputetët e LVV-së nuk po e përkrahin një projekt për ujin në Skenderaj, pasi kanë hatërmbetje me rajonin e Drenicës.
Lushtaku përmendi regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, duke thënë se edhe atëherë edhe tash është tentuar që rajonit të Drenicës t’i ndalen “ajri, jeta” e tash uji.


