Betohet kryetari Fadil Nura
Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Fadil Nura, ka bërë sot betimin në krye të ekzekutivit komunal, në praninë e ftuarve të shumtë, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe qytetarëve, të cilët kishin shprehur dëshirë të jenë të pranishëm në këtë solemnitet.
Në fillim të fjalimit, kryetari Nura tha se është nder më i madh në jetën e tij tani, të cilin edhe po e jeton.
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të kryetarit Nura, në ceremoninë e inaugurimit në këtë pozitë:
“Nderi më i madh në jetën time është ky tani. Po e jetoj këtë moment, i vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën e përgjegjësisë që bartë.
Është nderë po ashtu t’i drejtohem një organi kaq të lartë për nga pesha institucionale, dhe njerëzve si të zgjedhur të popullit, që me të drejt na bënë përgjegjës për çdo veprim që ndërmarrim dhe fjalë që do e themi.
Të nderura zonja të këtij kuvendi,
Zotërinj të kësaj asambleje
Ky është me të vërtetë një moment kulmues për familjen time dhe mua personalisht e profesionalisht.
E sotmja ka të bëjë me të ardhmen. E djeshmja me historinë. Me atë histori që e njohim dhe e vlerësojmë lartë, me burrat dhe gratë më të zotë të vendit tonë, që me guxim të pashembullt sakrifikuan jetët e tyre, për këtë vend të bekuar.
Të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne krye me komandantin legjendar Adem Jashari, do t’i kujtojmë e nderojmë me pijitet dhe krenari që jetuam në kohën e tyre.
Ta kujtojmë e mos ta harrojmë kurrë edhe atëherë kur do të jemi vetëm qytetarë të thjeshtë dhe pa përgjegjësinë qe po marrim sot, se nga ky moment këtu do të jemi të barabartë, këtu të gjithë jemi një, të gjithëve na bashkon interesi qytetarëve të Skenderajt.
Të gjithë këtu jemi për të folur për ta, sikundër jemi t’i japim zgjidhje çdo halli që është në dorën tonë. Duke e kujtuar të djeshmen, të angazhohemi me tërë qenien tonë njerëzore e shpirtërore që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja.
Të punojmë me përkushtim për secilin qytetar që na ka votuar por edhe për ata që nuk e bënë një gjë të tillë. Vetëm atëherë do të kemi përmbushur mision tonë. Atëherë do i dalim hakësh betimit të dhënë.
Të punojmë që e nesërmja të lind me lëvdata në vend të mallkimit për dështime eventuale në përmbushje të premtimeve që dhamë para atyre që na votuan.
Të nderuar anëtarë,
Deri dje ishim të ndarë në programet tona politike, secili me vizionin e tij në kërkim të votës. Ndërkaq, që nga e sotmja, nga ky vend, do të jemi të bashkuar rreth një detyre të vetme që kemi marrë mbi vete, që tu shërbejmë të gjithë qytetarëve, pa dallim, me përgjegjësi të lartë.
Këtë do ta bëjmë me ndjenjën e falënderimit të përhershëm për mundësinë që na dhanë të jemi përfaqësues të denjë. Jam i sigurt që secili këtu është i vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi marrë.
Krahas kësaj, kam besim të plotë se ne bashkërisht mund të bëjmë gjëra të mëdha për komunën tonë dhe njerëzit që jetojnë këtu. Ne mund të kapërcejmë çdo pengesë që mund të shfaqet.
Ta respektojmë njëri-tjetrin, sikur të ishim një familje.
Të punojmë fort për të avancuar më shumë pozitën e gruas në shoqëri.
Të angazhohemi pa pushim që ta ruajmë demokracinë e arritur.
Të mos ndalemi sa herë kërkohet nga ne që ta bëjmë këte komunë më të përparuar, më të begatshme dhe qendër tërheqëse për investitorë dhe vizitorë.
Të nderuar të pranishëm,
Duke qenë të vetëdijshëm për pandeminë me të cilën po përballemi, kërkohet nga të gjithë ne që të jemi të kujdesshëm, t’i respektojmë vendimet dhe këshillat e profesionistëve shëndetësor, në mënyrë që pasojat të jenë lehtë të përballueshme.
Flisni me të gjithë që njihni për rëndësinë e vaksinimit, sepse ështe arma e vetme për të mbrojtur shëndetin tonë, familjen dhe publikun e gjerë.
Zonja dhe zotërinj,
Mbajeni mend betimin që e bëmë sot…
Lë të jetë ky një fillim i mbarë për të gjithë ne!
Faleminderit!”.


