Thaçi nga Haga: Nuk u interesuan për ne, donin të përdornin takimin me mua në kulmin e fushatës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka treguar se pse nuk ka pranuar të takohet me zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Thaçit kjo vizitë u bë në kulmin e fushatës zgjedhore.
Kështu ka bërë të ditur gazetari, Mero Baze, i cili thotë se ka vizituar Thaçin në njëvjetorin e paraburgimit.
“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a u dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, i ka thënë Thaçi gazetarëve shqiptarë Mero Baze e Filip Çakuli gjatë një vizite që i kanë bërë atij në dhomat e paraburgimit në Hagë, në një vjetorin e qëndrimit të tij aty, shkruan Baze.
Besimi se do të dilte i pafajshëm, dhe bindja se kjo kryqëzatë mbi të dhe disa nga figurat politike të Kosovës, ishte çmimi që ata duhet të paguanin deri në fund të jetës së tyre për Kosovën, është i vetmi që u jepte kurajo në ato qeli ku ishin mbyllur, ka shkruar tutje Baze.
“Kur mendoj që dhe mund të ishim vrarë në luftë, mendoj se gjithçka tjetër na bën më të fortë”, – thotë pa shumë patetizëm, në dhomën e ngushtë të vizitorëve, ka treguar Baze pas vizitës në Hagë.