Aprovohet ankesa: Komuna e Drenasit kualifikohet në raundin e tretë për grantin e performancës

Komuna e Drenasit ka njoftuar se ka arritur nivelin e kërkuar të shpenzimeve kapitale, mbi 75%, përqindje kjo që e kualifikon si komunë për shpërblim në raundin e tretë për grantin e performancës.
Njoftimi i plotë:
Qytetarë të komunës së Drenasit,
Komuna jonë ka arritur nivelin e kërkuar të shpenzimeve kapitale, mbi 75%, përqindje kjo që na kualifikon si komunë për shpërblim në raundin e tretë për grantin e performancës. Ne kemi ngritur shqetësimin tonë me kohë se shpenzimet e kryera nuk na ishin llogaritur, për shkaqe objektive.
Komiteti drejtues, në bashkëpunim me entitetet tjera, ka aprovuar ankesën tonë.
Ankesa jonë konsistonte në aprovimin e shpenzimeve të kryera, sepse, vlerësimi objektiv na ngriste mbi pragun e 75% të shpenzimit të buxhetit.
Falënderoj Komitetin Drejtues, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për shqyrtimin e ankesës dhe përgjigjes pozitive rreth shpenzimeve kapitale.
Po ashtu, falënderoj Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe natyrisht, zyrtarët e komunës së Drenasit për përkushtimin e pashoq qe komunën tonë e mban lartë në top komunat me performancën më të mirë për katër vite rresht.
Faleminderit. Vazhdojmë të jemi komunë kampion!