Lladrovci: Vullnetin për të votuar PDK-në mos lejoni ta devijoj askush!

Kryetari aktual i komunës së Drenasit, njëherësh ushtrues detyre i kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci ka thënë se adresa e vetme është 177 dhe jo të tjerët që përmes këtij numri po tentojnë të mashtrojnë dhe përfitojnë vota.

Përmes një shkrimi në facebook, Lladrovci ka thënë se vullnetin për të votuar PDK-në nuk mund ta devijojë askush, pavarësisht nga janë e kush janë.

“Unë nuk do t’i kursej, keqbërësit dhe ndërmjetësuesit e tyre që mashtrojnë me adresa, sepse PDK ka vetëm një adresë, numrin 177. Vullnetin tuaj për të votuar PDK-në, mos lejoni ta devijoj askush, pavarësisht nga janë e kush janë. Fitoren e PDK-së, nuk mund ta pengojnë as keqbërësit as bedeli i tyre”, ka thënë Lladrovci mes të tjerash.

Shkrimi tij i plotë:

Qytetarë të nderuar të komunës së Drenasit,
Numri 177, është adresa e vetme e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas. Kjo forcë e madhe politike, bashkon qytetarët e lirë, të barabartë, simpatizantët, aktivistët dhe anëtarët e devotshëm në Drenas, Drenicë dhe krejt Kosovën.
Muajin e fundit, në veçanti ditëve të fundit, është shtuar ndihma për hajnat e votave dhe besimit qytetar në emër të PDK-së, në Drenas, duke e ashpërsuar garën politike.
Këta keqbërës, duke më luftuar mua, kanë dëmtuar edhe votën e PDK-së në nivelin nacional, duke e zvogëluar fitoren tonë të madhe për kryetar komune pa balotazh, numrin e asamblistëve dhe numrin e përgjithshëm të votave.
Qytetarë të komunës së Drenasit,
Unë nuk do t’i kursej, keqbërësit dhe ndërmjetësuesit e tyre që mashtrojnë me adresa, sepse PDK ka vetëm një adresë, numrin 177.
Vullnetin tuaj për të votuar PDK-në, mos lejoni ta devijoj askush, pavarësisht nga janë e kush janë. Fitoren e PDK-së, nuk mund ta pengojnë as keqbërësit as bedeli i tyre.
Bashkë me juve, PDK me numrin 177, do të fitoj dhe ruaj qeverisjen e mirë në Drenas edhe në katër vitet e ardhme. Vazhdojmë!
Ju faleminderit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë