KQZ shpall rezultatet përfundimtare të Drenasit, ja nga sa ulëse fituan subjektet politike

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Krasniqit, kandidatit për Asamble Komunale në Komunën e Drenasit nga Nisma Socialdemokrate, duke i hapur rrugën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

KQZ-ja kishte vonuar shpalljen e rezultateve për Kuvendin Komunal të Drenasit për shkak të kësaj ankese, ndërkohë që të hënën kishte shpallur rezultatet për 37 komuna të tjera.

Krasniqi kishte paraqitur ankesë fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN). Pas refuzimit të ankesës nga PZAP, ai e kishte dërguar rastin në Gjykatën Supreme.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se, pas shqyrtimit të vendimeve paraprake, pretendimeve ankimore dhe dokumenteve të lëndës, “ankesa është e pabazuar”.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, kandidat për Asamble Komunale në Komunën e Gllogocit, nga Subjekti Politik Nisma Socialdemokrate, paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, ZL. Anr.248-2/2025, të datës 29.10.2025”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Pas këtij vendimi, KQZ në mbledhjen e mbajtur më 5 nëntor 2025 ka shpallur rezultatet përfundimtare për Kuvendin Komunal të Drenasit.

Sipas rezultateve zyrtare:

Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin ka fituar 11 ulëse,
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 10 ulëse,
Lëvizja Vetëvendosje (VV) – 2 ulëse,
ndërsa Bashkimi Demokratik, Për Drenas e Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Nisma Socialdemokrate (NISMA) kanë nga një ulëse secila.

Ky vendim i Gjykatës Supreme shënon mbylljen ligjore të procesit zgjedhor në Drenas, duke i hapur rrugën certifikimit përfundimtar të mandateve të asamblistëve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë