Jashari: Me pikëlloi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta të atdhetarit tonë Musa Derguti

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka shprehur pikëllim për ndarjen nga jeta të luftëtarit të ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Musa Derguti.

“Musa Derguti ishte zv/komandant i Batalionit të Parë të Zonës së Drenicës, luftëtar i dalluar dhe shembull për ushtarët tjerë” tha Kryetari Jashari.

Jashari, tutje kujtoi se nga viti 2000 deri në vitin 2011, Musa Derguti, ishte drejtor i shkollës fillore “Shaban Jashari”, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm në udhëheqjen dhe ngritjen e cilësisë në këtë shkollë, duke nxjerrë gjeneratat më të përgatitura që sot kontribuojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e komunës dhe shtetit tonë.

Pas vitit 2011, Derguti punoi si drejtor në Bibliotekën e qytetit, duke iu shërbyer fëmijëve dhe të rinjve me përkushtim maksimal.

“Largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe për komunën tonë, bashkëpunëtorët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën”, tha Jashari.

Në emrin e tij dhe të komunës sonë, Jashari, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë atyre që e njohën.

“Lamtumirë baca Musë Derguti”, tha ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë