Gjoshi: Qeveria ka treguar tendencë që t’i kapë të gjithë pushtetet

Anëtari i kryesisë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar qeverinë për mosinteresim të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në 100 ditët e para të qeverisjes, qeveria Kurti ka treguar që është qeveri me mungesë vizioni dhe energjie.

“Qeveria në 100 ditët e para ka treguar që është qeveri me mungesë vizioni dhe energjie. Që nga dita e parë nuk ka qenë e interesuar për halle të qytetarëve, por më shumë ka qenë për punësimin e ndonjë nipi a daje. Pra kemi parë një tendencë që t’i kapë të gjithë pushtetet, përfshirë edhe institucionet e pavarura”, është shprehur ai.

Gjoshi ka vlerësuar se qeveria duhet ta kthejë vëmendjen nga hallet e qytetarëve, ta ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike dhe ta rrisë vaksinimin e qytetarëve.

“Duke parë qeverisjen në këto 100 ditë, e cila karakterizohet me një qeverisje të dobët. Pra, një qeverisje edhe më e dobët sesa kanë menduar kritikët, pritjet tona janë të vogla. Ne kërkojmë nga qeveria që të kthejë sytë nga nevojat qytetare, të ndihmojë ekonominë dhe qytetarët, ta rrisë vaksinimin dhe t’i normalizojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë e ta ndalë rehatimin e militantëve dhe ndërhyrjen e presionin tek institucionet e pavarura”, ka thënë Gjoshi.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë