Familja Osmani proteston kundër vendimit të Komunës së Drenasit që pronën e tyre për të cilën thonë se nuk janë kompensuar asnjëherë t’ia jap në shfrytëzim një kompanie private

Pjesëtarë të familjes Osmani, së bashku me disa banorë të Komunës së Drenasit, kanë protestuar të mërkurën kundër vendimit të komunës që prona e tyre prej 1.6 hektarësh t’i jepet në shfrytëzim një firme private.

Pjesëtari i kësaj familje, Afrim Osmani, ka thënë se kjo pronë i është marrë padrejtësisht familjes së tij në vitin 1976, për çka nuk janë kompensuar asnjëherë. Madje, ai thotë se ende nuk ka vendim përfundimtar për këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo pronë i është marrë padrejtësisht familjes tonë në vitin 1976, pa u kompensuar asnjëherë. Lënda për këtë kontest pronësor nuk është zgjidhur ende nga gjykata. …Krejt çka po kërkojmë është që gjykata ta jap fjalën e saj dhe të mos ketë vonesa të mëtutjeshme në këtë rast. Deri tani kanë kaluar 45 vite, apo 22 vite që nga paslufta dhe kjo lëndë ende nuk ka vendim final.”, ka thënë Osmani gjatë protestës.

Sipas tij, të gjitha institucionet kanë pasur kohë për një vendim të drejtë dhe ligjor, por se gjykata me zvarritjen e rastit e favorizon një kompani private në dëm të pronarëve legjitim.

“I bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që ta hetojë procesin e dhënies së kësaj prone private në shfrytëzim afatgjatë, që u është marrë padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin familjarëve tanë, pa u kompensuar asnjëherë. Ne si qytetarë të këtij vendi, sikurse të gjithë të tjerët që do të vepronin, do të mbrojmë pronën tonë përmes të gjitha rrugëve juridike dhe nuk do të lejojmë shfrytëzimin e pronës tonë nga kompani private, pa vendim final gjyqësor.”, ka deklaruar Osmani. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë