Prokurorja në pushim vjetor, dështon seanca ndaj zyrtarëve që po akuzohen se i shkaktuan mbi 200 mijë euro dëm Komunës së Drenasit

Pushimi vjetor i prokurores Merrushe Llugiqi, ka pamundësuar mbajtjen e seancës së paraparë për të hënën në gjykimin ku zyrtarët e Komunës së Drenasit, Xh. Ramaj dhe Sh. Morina po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ata po akuzohen se gjatë një periudhe tetë vjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në Drenas. Sipas aktakuzës, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është bërë kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro.
Seanca e radhës për këtë rast ishte paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por prokurorja Llugiqi përmes një parashtrese e kishte njoftuar gjykatën se gjendet në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni, tha se prokurorja e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë e pranishëm në seancë për shkak se gjendet në pushim vjetor.
Për këtë arsye, gjykatësja tha se me kohë i ka njoftuar të akuzuarit për mos mbajtjen e seancës.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 7 shtator 2021, në ora 13:00, ku pritet të dëgjohen dëshmitarëxt, N. Shyqyriu dhe B. Fetahu.
Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xh.Ramaj, nga pozita shef i sektorit të gjeodezisë dhe Sh.Morina nga pozita e shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtarë duke tejkaluar kompetencat e tyre.
Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, por kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për Tokat Bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për Ndërrimin e Destinimit të Tokave Bujqësore.
Në aktakuzë thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të akuzuarit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit.
Sipas prokurorisë, ky ndërrim i destinimit ishte bërë në zonat kadastrale (ZK) si në vijim: ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Korroticë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është bërë kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro. /BetimipërDrejtësi