Mbahet seanca solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Drenasit

Më rastin e shënimit të 22 vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës, ku janë nderuar të gjithë dëshmorët.
Në seancën solemne, merrnin pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Arben Shala, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit dhe drejtor të drejtorive komunale. Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Labinot Halilaj, i cili tha se 14 Qershori mbetet datë krenarie që na kujton shpresën për jetë të lirë të kërkuar me shekuj nga atdhetar të vendit.
“Sot është dita më e rëndësishme historike e qytetit tonë, pra është dita e çlirimit të Drenasit, dita e dëbimit të ushtarit të fundit serb nga qyteti ynë i datës së 14 Qershorit të vitit 1999. Shënimi i kësaj date në mënyrë institucionale dhe shtetërore e madhështon luftën dhe sakrificat e popullit për çlirim, lirisë së vendit i jep kuptimin e plotë, ndërsa popullit i shton dashurinë ndaj atdheut.
Rruga deri të kjo datë, ishte shumë e gjatë, e mbushur me plotë dhimbje, vuajtje e sakrifica për popullin tonë, po aq e gjatë e më dhimbje sa edhe sot kur ne festojmë këtë datë madhështore, çlirimtaret tanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati, Nasim Haradinaj e të tjerë, mbahen padrejtësisht në Hagë të akuzuar gjoja për krime lufte”, ka thënë nder të tjera kryesuesi Haliaj.
Ndërsa, kryetari Ramiz Lladrovci, në fjalimin e ti ne seancën solemne tha se Dita e Çlirimit, është data kur me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e qytetarëve të Drenasit, heronj, dëshmorë dhe martirë të lirisë.
Fjalimi i kryetari Lladrovci ne seancën solemne;
Të nderuar familjar të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve të Drenasit, anëtar të Kuvendit
I nderuari kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, invalidëve e familje të dëshmorëve,
Të dashur qytetarë,
Në 22 vjetorin e çlirimit të komunës së Drenasit, është rast të shprehim, respektin e thellë për secilin që ka kontribuar për këtë ditë. Me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e jashtëzakonshme të qytetarëve të komunës tonë, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë.
Respekti ynë për secilin që ka kontribuar për çlirim, ne sot ia shprehim me përkushtimin tonë të patundur për të rritur mirëqenien e qytetarëve, me arsim cilësor, shëndetësi, infrastrukturë cilësore dhe çdo fushë tjetër që është me interes për qytetarët.
Drenica ishte vatër e rezistencës për më shumë se një shekull, andaj, historia na ngarkoi me përgjegjësi të cilat me nder dhe krenari i kemi kryer.
Sot, përgëzojmë secilën familje të martirëve, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranë të UÇK-së, çdo veprimtar e kontribuues të lirisë tonë, çdo qytetarë të komunës tonë, të cilët me vetëmohim, ecën rrugës së lirisë dhe çlirimit.
Kjo ditë, behët edhe më madhështore, me përjetësimin e shtatores së humanistin, mjekun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër doktorët e parë dhe themeluesin e Spitalit të UÇK-së, Doktor Hafir Shalën, në vendin më meritor, në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Drenas, aty ku dha kontributin e çmuar për shumë vite.
Të nderuar të pranishëm,
Historia e vendit njeh shumë breza që kanë sakrifikuar, për lirinë e tonë. Liria e këtij vendi ka rrënjët që nga Skënderbeu, Hasan Prishtina, rezistencën antikomuniste të Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, rezistencën e dëshmorit Fazli Grajçevci deri të lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe qindra dëshmor e martirë.
Që nga 1968 të demonstratave dhe rezistencës kundër Serbisë, të vitit 1981 e 1990 filluan të ngritën edhe celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njësitet dhe brigadat që lavdinë shekullore do ta trupëzojnë në liri, së bashku me partnerët tanë, NATO-on.
Zonja e zotërinj,
Në shënimin e kësaj dite, Komunën e Drenasit e gjënë në ranglistë si komuna më transparente e llogaridhënëse në mesin e të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Vendi i parë, nuk duhet të na vetëkënaq, por duhet të jetë vazhdimësi e punëve të përbashkëta për të mirën e qytetarëve.
Për të gjitha të arriturat, meritor është ekzekutivi, administrata komunale, asambleja e kuvendit, administratorët e fshatrave dhe gjithë qytetarët pa dallim, për bashkëpunimin e treguar ndër vite. Synimet tona të përbashkëta, janë që edhe në vitet në vazhdim, të punojmë ne realizimin e projekteve në infrastrukturë, cilësi në arsim, kulturë e në secilën fushë.
Drenasi, ashtu siç ishte dje zonë e përfshirjes masive për liri dhe çlirim, sot është hapësirë e zhvillimit, mirëqenies dhe të ardhmes, për ne dhe gjeneratat që vijnë.
Para disa vitesh, si sfidë kemi pasur, trajtimin e ujërave të zeza, pastrimin e lumit Drenica dhe rehabilitimin e qindra deponive dhe mbetjeve tjera interte të krijuara që nga përfundimi i luftës më 1999, sot këto dy sfida po marrin gati epitetin e përfundimit.
Me prioritetin me të lartë, i kemi vë qëllim qeverisjes së mirë, përfundimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturës shkollore, kabineteve, bibliotekave, ndërtimin e çerdheve dhe dhjetëra projekteve të tjera.
Të nderuar qytetarë,
Vetëm të bashkuar mund të bëjmë vepra të mira për vendin, duke mbështetur projektet të cilat bëhen për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Sakrifica e gjeneratave të tëra që ne sot jemi të lirë dhe festojmë datat historike, na bëjnë krenar dhe me të fortë për të quar amanetin e të rënëve ashtu siç ata deshën, që Kosova të jetë e konkurrente e vendeve të zhvilluara.
Lavdi jetës e veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit.
Lavdi sakrificës së martirëve dhe të pagjeturve të lirisë tonë.
Gëzuar dita e çlirimit.
Ju faleminderit.