Lladrovci, Mehaj dhe Rama inspektojnë urën mobile në Dobroshec

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, sot kanë inspektuar urën mobile “Maby Johnson” me gjatësi prej 36 metra, të realizuar para 3 javësh nga inxhinierët e Regjimentit të Xhenios të Gardës Kombëtare të FSK-së në Dobroshec të Drenasit.

Më këtë rast, kryetari Lladrovci ka falënderuar dhe ka shprehur mirënjohje të lartë për realizimin e këtij projekti i cili ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve të kësaj ane të izoluar pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e muajit Janar të këtij viti.
Ndërsa, ministri Mehaj shprehu vlerësimin e lartë për punën e shkëlqyeshme të inxhinierëve të FSK-së dhe theksoi gatishmërinë e plotë për realizimin e detyrimit kushtetues dhe ligjor për mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile dhe në shërbim maksimal ndaj qytetarëve tanë në çdo kohë e rrethanë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë