Personi që u gjet pa shenja jete dje në veturën e tij, është zyrtar i Doganës së Kosovës

Dje rreth orës 11:00 në rrugën “Fatmir Mulliqi”, në lagjen “Veternik” në Prishtinë është gjetur pa shenja jete në veturën e tij një person i gjinisë mashkullore, i cili sipas të hetimeve të para të policisë, ka kryer vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se viktima është zyrtar i Doganës së Kosovës dhe se kur ishte gjetur nga policia, kishte një armë në duar, me të cilët dyshohet se është kryer akti.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes po ashtu janë gjetur dy gëzhoja të armës.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës dje për Gazetën Sinjali tha se rasti është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë, përkundër që të dhënat fillestare sugjerojnë për një vetëvrasje të mundshme.
“Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vetëvrasje të mundshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do t’i ndihmonin hetimit të ngjarjes dhe sqarimit e ndriçimit të plotë të rastit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.