Komuna e Skenderajt deri tani ndau mbi 14 mijë euro për të prekurit me COVID-19

Që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë vdiqën mbi 2 mijë qytetarë nga COVID-19. Komunat e vendit për t’u solidarizuar me qytetarët e tyre, vendosën të ndanin mjete financiare simbolike për ata që ishin të prekur me COVID-19. Komuna e Skenderajt ndryshe nga disa komuna përveç mjeteve që ndan për të prekurit me këtë virus, vendosi që një shumë të ndajë edhe për familjarët e atyre që humbin jetën në betejën me këtë virus. Shuma që kjo komunë ndau deri më sot është 14 mijë e 450 euro për 250 qytetarëve sa përfituan nga ky aplikim.

Por cila ishte shumë që ndau Komuna e Skenderajt për të ndihmuar qytetarët e saj?

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në përgjigjet e saj për Demokracia.com tha se Komuna e Skenderajt ka vendosur të ndajë shumën prej 50 eurove për personat e prekur nga COVID-19 dhe 100 euro për familjarët e atyre që humbën jetën nga ky virus.

‘’Komuna e Skenderajt ka marrë vendim  për mbështetje financiare prej 100 euro për familjet qe kanë humbur një anëtar të familjes si pasojë e virusit COVID-19 dhe 50 euro për personat që janë të diagnostikuar pozitivë me COVID-19’’, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Skenderajt.

Në këtë komunë pati një numër të lartë të aplikuesve për këtë tërheqje si ndihmë nga komuna por as gjysma e tyre ende nuk përfituan akoma.

Kjo komunë tha se nga 692 persona që aplikuan për këtë ndihëm financiare që i mbështete këta qytetarë të prekur me COVID-19, 250 prej tyre përfituan ndërsa 382 janë në procedurë të pagesës që pritet të përfundojë deri në fund të kësaj jave. Nga ky numër i përgjithshëm, janë edhe 60 aplikime të tjera që u refuzuan pasi që testimet u bënë në institucionet private.

‘’Deri me tani kanë aplikuar 692 persona ku prej tyre 250 janë realizuar pagesat , ndërsa 382 janë në procedure të pagesës, ku pritet të kompletohen lëndët deri në fund të javës, ndërsa pjesa tjetër prej 60 janë anuluar për shkak të testimit në institucionet private’’, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Skenderajt, përcjell Demokracia.com

Asambleja Komunale e Skenderaj vendosi që këto mjete për qytetarët e prekur nga COVID-19  t’i ndaj vetëm për ata që testimet i bëjnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës.

‘’Sipas vendimit të Asamblesë Komunale janë pranuar vetëm teste të lëshuara nga IKSHPK-ja’’, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Skenderajt për Demokracia.com.

Komuna e Skenderajt deri më tani ka ndarë rreth 50 mijë euro nga buxheti i saj për personat e prekur nga COVID-19 dhe ata që humbin një familjar nga ky virus, ndërsa deri më tani shuma totale që u nda nga kjo komunë është 14 mijë e 450 euro për 250 personat që aplikuan.

‘’Për 250 rastet për të cilët është realizuar pagesa janë realizuar rreth 14,450.00, për shkak se ky vendim zbatohet përmes kategorisë se subvencioneve në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë ka mjete të ndare në rreth 50,000.00 euro, ndërsa gjatë rishikimit të buxhetit do të shtohen mjete sipas nevojës’’, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Skenderajt.

Ashtu si në komunat e tjera edhe në komunën e Skenderajt ndihmë e tillë iu ofron të gjithëve e edhe atyre që kanë mungesë të kartelës bankare pasi që janë nën moshën 16-vjeçare, duke iu mundësuar aplikimin përmes xhirollogarisë së prindit.

‘’Për personat të cilët nuk kanë pasur llogari bankare dhe ishin nën moshën 16 vjeçare, ju është mundësuar të aplikojnë me llogari të njërit prind duke dorëzuar edhe certifikatën e Bashkësisë Familjare si dëshmi shtesë’,’ thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Skenderajt.

Ndryshe vetëm gjatë 24 orëve të fundit nga njoftimi i IKSHPK-së, humbën jetën 12 persona dhe u shënuan 494 raste të reja nga të cilat 12 prej tyre ishin nga Komuna e Skenderajt.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë