A do të paguhen shujtat e mësimdhënësve të Drenasit?

Mësimdhënësi nga Tërdeci i Drenasit, Ismail Hoti i cili që katër dekada ka në duar ditarin, është i brengosur me faktin se ai dhe kolegët e tij nga Drenasi ende nuk janë paguar për shujtat ditore sipas Kontratës Kolektive.

Hoti që punon në ShFMU “Shotë Galica”’ në Abri të Epërme, e që është edhe anëtar i Kryesisë së SBASHK në Komunën e Drenasit, ka thënë për IndeksOnline se derisa kolegët e shumë Komunave të Kosovës i kanë marrë këto mjete, Komuna e Drenasit ende nuk i ka paguar ata.

IndeksOnline ka pyetur Komunën e Drenasit për këtë rast ku zëdhënësi Bekim Dobra ka thënë se çështja e shujtave është në procedurë në Gjykatë dhe ende nuk kanë pranuar vendim të formës së prerë lidhur me këto raste.

“Çështja e shujtave është në procedurë në Gjykatë dhe ende nuk kemi vendim të formës së prerë lidhur me këto raste. Për këtë çështje kemi dërguar kërkesë për mbulueshmëri financiare dhe formën e pagesës në Ministrinë e Financave dhe Trasnfereve, mirëpo ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje lidhur me pagesën”, ka thënë zëdhënësi Dobra.

Ditë më parë Ymer Ymeri, menaxher financiar në SBASHK kishte thënë për IndeksOnline se procesi i pagesave të shujtave për mësimdhënësit po kryhet me sukses por dallon komuna prej komunës.

“Një pjesë e komunave e kanë realizuar këtë, Klina e ka realizuar, Peja e ka realizuar, janë duke e realizuar shumica e komunave përmes gjykatave. Mësimdhënësit nga Kaçaniku, Hani i Elezit, Vushtrria, i kanë marrë përmes gjykatës me përmbarues. Të gjitha mësimdhënësit nga të gjitha komunat janë në proces, por vazhdojnë gjykatat të merren me këto lëndë”, kishte thënë Ymeri.

Vlera e kompensimit të shpenzimit të ushqimit në punë, për një ditë pune, është 2 euro.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë