Përkujtohet 23 vjetori i Betejës së Likoshanit dhe Qirezit

Më rastin e shënimit të 23 vjetorit të Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me stafin e tij, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, ish kryeministrin Albin Kurti, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së dhe shumë qytetarë nga dy komunat, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Qyqavicës” në Likoshan, dëshmor e martirë të rënë në këtë betejë.

Në përkujtimin e 24 të rënëve në Likoshan e Qirez, kryetari Lladrovci tha se 28 Shkurti i vitit 1998, na kujton luftën e pastër të UÇK-së, na kujtonë dëshmorët, martirët, gratë, burrat, pleqtë e të rinj që u vranë në këtë ditë nga forcat paramilitare serbe. Lladrovci tha se humbja e forcave serbe te Lisi Gjashtnjak nga njësiti i armatosur i UÇK-së, ishte shkak që i tërboi okupatorët duke u hakmarrë kundër qytetarëve të pafajshëm e të paarmatorusr.

“Rezistenca e popullit tonë, gjatë decenieve me demonstrata masive dhe grupet e organizuara, në fund të shekullit të shkuar ngritën nivelin e gatishmërisë së ballafaqimit me luftë të armatosur duke themeluar dhe organizuar radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qirezi e Likoshani bëhen vatrat e para ku fytyra e vërtetë e okupatorit do të shfaqej me tërë barbarinë e vet. Këto masakra, bashkuan dhe ngritën bijtë e bijat më të mira të kombit, të përgatiteshin për luftën përfundimtare, deri në çlirimin e Kosovës.

Rruga e lirisë, ishte rrugë e gjatë. Qirezi e Likoshani, me martirët e saj u bënë sinonim për fillimin e lirisë së pandalshme për Kosovën”, tha kryetari Lladrovci.

Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e Qirezit dhe Likoshanit!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë