Mbi 1 mijë persona nga Drenasi të prekur me koronavirus gjatë këtij viti
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu, i ka njoftuar anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për bashkëpunimin e rregullt me IKSHP-në sa i përket emrave të të infektuarve, dhe me statistikat e të infektuarve.
Ai ka shtuar se që nga marsi i këtij viti deri me datën 16.12.2020, në Drenas, janë prekur 1027 persona, prej tyre janë 333 raste aktive dhe 650 të tjerë janë shëruar.
Haxhiu gjithashtu i njoftoi të pranishmit se përmes informimit publik janë njoftuar qytetarët që trajtohen nga virusi SARS-COV-2 se përvec rasteve urgjente, ata mund të kontaktojnë përmes telefonit numrin pa pagesë 194, në mënyrë që të caktohet vend i lirë për marrjen e terapisë infuzive,në mënyrë që të shmangen pritjet dhe fluksi i madh i njerëzve dhe për një organizim më të mirë të marrjes së shërbimeve mjekësore.
Ekipet mjekësorë janë të gatshme nga ora 8:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në kuadër të kapaciteteve të veta ekzistuese në dy qendrat e saj, QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran të ofrojnë shërbime shëndetësore, ndërsa pas orës 20:00 është ekipi kujdestar i rregullt që mund të ofrojë shërbime për të infektuarit me COVID-19. Terapia standarde infuzive për trajtim COVID-19 ekziston përjashtimisht pjesës vitaminoze. Gjithashtu, në barnatoren e QKMF-së, gjatë orarit të barnatores, mund të merret komplet terapia orale për trajtimin e COVID-19. Kapacitetet e trajtimit me COVID-19 janë deri në 48 pacientë dhe menaxhimi është nën kontroll.