ASHAK-u dhe “hoxha” i Tërstenikut: Kuku për mu, e kuku për ty!

Shkruan: Agron SHALA

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, një nga parodistët më të njohur të ish-Jugosllavisë, Haxhi Jovan-Kostiqi, kishte thënë: “Nuk është problem që Jugosllavia ka shumë akademikë, por më vjen keq që francezët kanë aq pak”. Ai e kishte thënë këtë duke pasë parasysh faktin se Franca me popullsi dyfish më të madhe se ish-Jugosllavia, kishte “veç” 40 akademikë. Ndërkaq, shteti i Jovan-Kostiqit kishte tetë njësi federative, secila me Akademinë e saj me nga 40 anëtarë.

Këtu bënte pjesë edhe Kosova. Për këtë njësi federative, atë kohë ishte thurur barsoleta se me çfarë teme shqiptari e fitonte titullin e doktorit të shkencave: “Kur ia këpusin mizës krihët, ajo bëhet e shurdhër”! Fatkeqësisht, kjo barsoletë dikur nacionaliste dhe përçmuese (por që megjithatë kishte diçka të vërtetë aty), kurrë nuk ka qenë më reale se sot.

Pasojat e kësaj barsolete (realiteti) shihen kudo në arsimin e degraduar të shtetit të Kosovës. Ndërkaq, kulmi është me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) për të cilën u bë luftë e madhe ditëve të fundit – me lobime tek të pushtetshmit, përmes Trinitetit të Dreqit, të Birit dhe Marrisë së Shenjtë – për të qenë pjesë e këtij “institucioni më të lartë të shkencës dhe artit”!

Asgjë për t’u çuditur. Teksa ndërtohej objekti i ri i këtij institucioni, disa akademikë që vuajnë nga deliri i madhështisë, kishin propozuar që bodrumi të shndërrohet në mauzole me trupat e balsamosur të tyre. Kishin menduar që objekti të jetë një vend pelegrinazhi, “te truri i kombit”, pa çka që një alamet Rusie po ka probleme me mbajt të konservuar trupin e Leninit.

Prandaj, të kandidosh në këtë Akademi hiç nuk është problem, e as për t’u çuditur me emrat që do të defilojnë pastaj aty! Sepse, biografitë e intelekti nuk vlejnë, pos krahu. Mediokri do të mbetet përjetë akademik dhe nuk do t’ia ndiejë hiç se çfarë do të flitet për të! Pastaj, gjithçka harrohet! Ndërkaq, shpejtë do të dëgjohet fraza mbrojtëse për ta, drejtuar “vdekatarëve të rëndomtë”: “Kush je ti që merresh me akademikë”?!

Por, nëse jo nesër, çka mund të thuhet sot për shumicën e akademikëve të rinj – pos Fetah Podvoricës si shkencëtar i cituar, Mentor Petrelës apo Muhamedin Kullashit që hajt po ligjëron në Francë? Çka mund të thuhet për një Akademi ku nuk pranohet një tjetër shkencëtar i cituar, Bajram Berisha, e pranohen të tjerët që veç janë parë në TV, janë përmendur te ndonjë deklaratë në gazetë, e kush veprat nuk ua di? Asgjë, pos që Gazmend Zajmi, Esat Mekuli, Dervish Rozhaja, Anton Pashku, Ibrahim Rugova e Mark Krasniqi do të rrotullohen në varr dhe se 100-vjetori i lindjes së Idriz Ajetit do të jetë ma i mbrapshti për të. Kjo sepse asnjëri nga këta emra, e shumë studiues e krijues të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e ASHAK-ut, nuk kanë kontribuuar për të ardhur shqiptari në këtë derexhe, që Sahit Plisi të dalë më serioz, të jetë më i dobishëm e më domethënës për një shoqëri se një Akademi.

Edhe diçka: në Akademinë franceze anëtar është filozofi Alain Finkielkraut, i cili ndër të parët ngriti zërin kundër spastrimeve etnike të kryera nga serbët; është mjeku Yves Pouliquen që udhëheq fondacionin “Singer Polignac” që kontribuon me bursa në zhvillimin e artit dhe të shkencës; është diplomati, mjeku e historiani Jean-Christophe Rufin që udhëheq edhe organizatën humanitare “Action Against Hunger”… Ndërkaq, kryetar i ASHAK-ut është dikush që nga një profesor (po ashtu kontrovers) akuzohet se ai e disa kolegë të tij janë plagjiatorë, pra se i kanë vjedhur disertacionet e doktoratave.

Për këtë gjendje përgjigjen më të mirë e ka “hoxha” i dikurshëm nga Tërsteniku i Drenicës, të cilit nuk ia ndiente shumë për fe. Kur e pyesnin se çka po thotë qitapi, ai e lëvizte Kuranin ndër duar, e krijonte një situatë dramatike, dhe përgjigjej: “Po thotë: Kuku për mu, e kuku për ty”! Ndërkaq, Ali Podrimja do të shtonte: “Me pasë pyet Serbinë, emra më të këqij nuk do të zgjidhte për ne”!

Gëzuar Vitin e Ri!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë