Politikë me jetën e njerëzve

Është e papërgjegjshme që, në një situatë kritike shkaku i koronavirusit, krerët institucionalë të mos merren vesh se si ta menaxhojnë atë. Është e turpshme të bëhet politikë me njerëzit që jetojnë me frikë çdo ditë. Nuk është kohë protagonizmi, as betejash politike, por kohë mobilizimi e veprimi serioz.

Imer Mushkolaj

Një luftë tjetër, veç asaj kundër koronavirusit, ka dalë në sipërfaqe, në një përpjekje për të shfaqur protagonizëm politik. Ideja nëse duhet të shpallet ose jo gjendje e jashtëzakonshme është përvijuar të martën në deklarimet publike ndërmjet presidentit dhe qeverisë, më saktë ndërmjet presidentit dhe gjysmës së qeverisë. Pasdite kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, shtroi nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakoshme. Më pas, presidenti Hashim Thaçi kërkoi të mblidhet Këshilli i Sigurisë dhe në mbrëmje propozoi të shpallet kjo masë. Menjëherë reagoi zv/kryeministri i dytë, Haki Abazi, i cili tha se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, ngase qeveria është duke e menaxhuar mirë situatën.

Teori konspirative nga më të ndryshmet – që nga përpjekja për grushtshtet, deri te përpjekja për rrëzim të qeverisë – janë lansuar gjatë orëve të fundit në publik, në një situatë kur numri i të infektuarve nga virusi po rritet, paniku ndër qytetarë po ashtu, e mundësitë e veprimit institucional po zvogëlohen.

Masat e ndërmarra deri tash nga qeveria janë vlerësuar të duhura, mirëpo është e domosdoshme që të veprohet në pajtim me zhvillimin e situatës. Sjellja e qytetarëve dy ditët e kaluara nuk ka qenë në përputhje me veprimet e nevojshme që duhet ndërmarrë në një situatë krize si kjo.

Për ata që marrin vesh dhe për të tjerë që nuk duan t’ia dinë, situata është tejet serioze. Kurba e infektimit po shkon duke u rritur, e bashkë me të edhe paniku ndër qytetarë se çfarë do të ndodh ditët e ardhshme. Krejt kjo bëhet edhe më serioze në situatën e Kosovës, si një vend i vogël, i pafuqishëm dhe me kapacitete të kufizuara në çdo aspekt. Por, përderisa një pjesë e qytetarëve po tregohet e papërgjegjshme karshi veprimeve të nevojshme, as klasa politike nuk po tregohet më e mirë.

* * *

Sot shumica e qytetarëve janë në panik, në betejën që nuk dihet sa do të zgjasë me armikun e padukshëm. Janë shqetësuese pamjet në të cilat dhjetëra qytetarë presin në radhë, e shpesh edhe përleshen për një thes miell. Hiç më pak nuk janë shqetësuese as veprimet e papërgjegjshme të disa bizneseve, profiterë krizash, që nuk ngurrojnë të pasurohen në kurriz të qytetarëve, në një situatë fatkeqe.

Sot, kur jeta e secilit ka ndryshuar në mënyrë radikale dhe secili pret lajmin e ri se sa të tjerë janë infektuar, krerët e institucioneve gjejnë kohë dhe arsye të përplasen për çështje që kanë të bëjnë pikërisht me jetën e tyre, me sigurinë e tyre.

Sot, kur qytetarët presin nga institucionet që t’i orientojnë se si të veprojnë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, presidenti e kryeministri nuk merren vesh se cila është zgjidhja më e mirë.

Mbase presidentit mund t’i sillet në kokë ndonjë skenar që tejkalon fantazinë e secilit politikan në një situatë krize. Mbase edhe kryeministrit mund t’i vijë ndërmend ndonjë skenar tjetër, që tejkalon fantazinë e përgjigjes për skenarin e presidentit. Por, në kokën e qytetarëve të rëndomtë sillen veç mendime se si të përballojnë situatën e krijuar, si të sigurojnë ushqime e ilaçe të nevojshme, si të mbrohen nga infektimi i mundshëm.

Nëse presidenti e kryeministri duan të tregojnë protagonizëm, ky nuk është rasti. Nuk është rasti, sepse bëhet fjalë për jetë njerëzish. Nuk është rasti, sepse vendi gjendet në situatë kritike që po shkon drejt përkeqësimit. Nuk është rasti, sepse gjendja është serioze. Dhe ata duhet të tregohen seriozë, e jo inatçorë.

* * *

Se a është ose jo koha për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendosin strukturat profesionale shtetërore. Kjo nuk është dëshirë, as vullnet i asnjërit nga politikanët. Është e turpshme të bëhet politikë me jetën e njerëzve, të cilët jetojnë me frikë çdo ditë. Dhe, në një situatë si kjo, madje as partnerët e koalicionit nuk merren vesh se si duhet vepruar. Njëri mbështet presidentin, tjetri jo. Pra, gjithë kjo maskaradë po ndodh në situatën kur deri mbrëmë numri i të infektuarve në Kosovë ka arritur në nëntëmbëdhjetë dhe kur sektorë të tërë të shoqërisë e biznesit janë bllokuar, të humbur e në kaos se çfarë mund të bëhet.

Mund të spekuloj se presidenti ka për qëllim që, nëpërmjet Këshillit të Sigurisë të ushtrojë funksione ekzekutive në një gjendje të jashtëzakonshme. Por, është jonjerëzore që dikush, në këtë rast presidenti, ta mendojë një gjë të tillë për ndonjë qëllim a përfitim tjetër, përveç idesë që gjendja e re t’iu shërbejë qytetarëve dhe vendit për ta përballuar më lehtë krizën. Gjithçka tjetër është papërgjegjësi. Është çmenduri.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë