Një shënim nga izolimi

Ky është thelbi: ta dish dhe ta pranosh se je privuar nga liria dhe e vetmja mënyrë për ta rikthyer lirinë është ta gëzosh robërinë, për atë kohë të caktuar

Do të doja ta përcillja në krye një vrojtim të narratorit të “Murtajës” së Kamysë: «Mynzyrat në të vëretë janë një gjë e zakonshme, veçse e kemi vështirë ta besojmë, kur ato na pllakosin ne. Në botë ka patur po aq murtaja sa edhe luftëra. Dhe çuditërisht, si murtajat dhe luftërat, i gjejnë gjithnjë të papërgatitur njerëzit… Kur plas lufta njerëzit thonë “Nuk ka për të zgjatur shumë, do të që çmenduri!”. Dhe pa më të voglin dyshim lufta është një çmenduri e pashoqe, megjithatë kjo nuk e pengon aspak atë që të zgjasë. Çmenduria është gjithnjë këmbëngulëse dhe kjo do të vihej re lehtë sikur të mos mendonim veçse për veten gjithnjë… Gjëmat, duke mos pasur shtat njerëzor, i lejojnë njerëzit të mendojnë e ta bindin veten se ato janë të pavërteta, janë ëndrra të liga që largohen shpejt. Por ato nuk kalojnë vërtet shpejt… Bashkëqytetarët tonë… mendonin se gjithçka mund të ishte e mundur për secilin në veçanti, gjë që supozonte se mynxyrat masive ishin të pamundura… Atyre u dukej vetja të lirë, mirëpo askush nuk mund të jetë i lirë, për aq kohë sa mynxyrat rrinë pezull mbi botë».

***

Si të gjithë të tjerët që kanë mbi supe, kujt duke i rënduar më shumë e kujt më pak, por secilit në mënyrën e tij, një përvoje lufte, edhe unë do të thosha – ka që besojnë se gjithmonë mund t’i themi gjërat që tashmë janë thënë – me plot bindje, se lufta dhe viruset kanë ca gjëra të përbashkëta. Ndër to edhe këto: i zënë njerëzit në befasi, të papërgatitur; i marrin lehtë; secili thotë me vete, qoftë duke shkelur mbi të vdekurit, “mua vetë s’do të më gjejë gjë”; nuk mund të zgjasë veçse pak ditë, është vetëm një budallëllëk i rëndomtë i papritur, etj. Por, sigurisht, kjo është vetëm njëra anë. Në anën tjetër, pas një momenti të caktuar, nis paniku, pështjellimi, frika. Individi e gjen veten në luftë me gjithçka e gjithkënd përreth vetes. Duhet të mbijetojë ai, gjithsesi, vetëm ai, prandaj nuk ka më ligje dhe rregulla.

Prandaj, gjithë ajo nguti për të grumbulluar të gjithë artikujt e arritshëm ushqimorë e mjekësorë, në një ditë të vetme, pa e ditur a është zgjidhja e duhur, as pa e pasur shqetësimin më të vogël për tjetrin që mund të mos ketë mundur/pasur të furnizohet.

Dua të vërej se ky virus, i shpallur tashmë pandemi, fillimisht më kishte lënë pak a shumë indiferent. Pastaj, pas vendimit të izolimit, përnjëherë, prandaj frikshëm, më nxiti disi atë ankthin që e kisha ndier në një periudhë po ashtu izolimi, në luftë, gjatë ditëve të bombardimit. Sigurisht, ka dallime. Një nga dallimet, ndoshta themelor, është: nëse dilja jashtë gjatë izolimit të parë, virusi, pra gjëma me shtat njerëzor, ma drejtonte kallashnikovin dhe më çonte, nuk po përdor ndonjë metaforë, në hiç. Më e shumta do të ndienin dhimbje të afërmit e mi, por prore do të mund të mendohej se e kisha gjetur atë që e kisha lypur, duke dalë jashtë. Megjithëse, vinin të të gjenin edhe brenda dhe njëjtë të çonin në hiç. Tash, në izolimin e dytë, parimisht, nuk mund të tregohem aq lehtë kapadai e budalla dhe të dal, sepse tash nuk ka të bëjë vetëm me mua personalisht; madje nuk ka të bëjë aspak me mua personalisht. Po u preka nga virusi, pra nga gjëma pa shtat njerëzor, tash, jam rrezik vdekjeprurës edhe për të tjerët, apo mbase vetëm për të tjerët, ashtu siç në të njëjtën kohë edhe tjetri pranë meje do të mund të ishte rrezik vdekjeprurës për mua.

Sidoqoftë, dua të them se është në ajër gati se i njëjti dëshpërim, gati se e njëjta dozë ankthi, një zymtësi dhe rëndesë që avit lehtësisht kah depresioni. Mund të ketë arsye të ndryshme. Pak për shkak të heqjes dorë nga zakonet e përditshmërisë, por, kam bindjen, më shumë për shkak të humbjes së lirisë. Kur liria jonë është e cenuar nga tjetri, nga gjëma me shtat njeriu, shpresa e daljes nga ajo gjendje e padëshiruar është e përhapur dhe e gjallë. Për më tepër, solidariteti ndër viktima është një burim, tash po përdorim një metaforë, bërthamor. Kur lirinë tonë e cenon një mynxyrë, një pandemi, si në këtë rast me koronavirusin, solidariteti është më tepër një pandehmë, më tepër verbal. Ka më shumë vetmi, mbetje në fatin vetjak. Edhe egoizëm, që mund të çojë deri te shndërrimi i vlerave njerëzore.

Për më tepër që, si masë e domosdoshme, sot nuk guxojmë as t’ia zgjasim dorën njëri-tjetrit, t’ia rrahim supet njëri-tjetrit në shenjë afrie dhe të përqafohemi.

E megjithatë, ky është thelbi: ta dish dhe ta pranosh se je privuar nga liria dhe e vetmja mënyrë për ta rikthyer lirinë është, po e përdor një oksimoron, ta gëzosh robërinë, për atë kohë të caktuar të izolimit. Secili në mënyrën e vet, secili për ta arritur një përvojë të veten, si pjesë e përvojës kolektive. Kjo është një përvojë kolektive dhe nuk mund t’i dilet mbanë përveç se me përgjegjësinë dhe vetëdijen kolektive.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë