Mos kini besim se “mbreti” serb apo ai kosovar do të arrijnë paqen

Ndërkohë që presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë janë takuar përsëri duke mos zbuluar shumë rreth bisedimeve të tyre, pyetja është nëse ndonjëri nga ata ka mandatin, forcën e vullnetit- apo interesin- për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

Autor: Milos Ciric

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë vizituan Uashingtonin këtë javë duke anashkaluar përsëri qeveritë e vendeve të tyre përkatëse, duke dhënë premtime të cilat nuk kanë të drejtë ligjore për t’i bërë.

Kjo çështje, megjithatë, duket pothuajse qesharake. Të dy presidentët e kanë mësuar botën dhe qytetarët e tyre me idenë se ata janë autoriteti përfundimtar dhe se të gjitha institucionet e tjera shtetërore, si parlamentet dhe kryeministrat, janë aty thjesht për dekor.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç janë mysafirë të njohur në Uashington dhe duket se ata, tashmë, e kanë arritur një marrëveshje të asaj që ata të dy e quajnë “një zgjidhje për krizën” midis shteteve të tyre.

Për vite të tëra, të dy burrat kanë përdorur “dialogun” midis Kosovës dhe Serbisë për t’i shërbyer aspiratave të tyre politike.

Të gjithë, nga Brukseli deri në Uashington, u kanë mundësuar këtyre dy burrave të fortë të vazhdojnë t’i mbajnë në qorrsokak qytetarët e tyre, ndërsa, njëkohësisht, u siguruan atyre një mundësi për të hartuar marrëveshje të fshehtë, pa bërë shumë bujë brenda, derisa gjithçka të bihet dakord dhe mbështetësit e tyre t’i bekojnë përpjekjet e tyre heroike.

Problemi qëndron aty se as Vuçiç dhe as Thaçi nuk përfaqësojnë me të vërtetë vullnetin e popullit të tyre. Kjo mund të tingëllojë si një argument i hedhur poshtë lehtësisht pasi jemi mësuar me faktin se të dy burrat i kanë shndërruar parlamentet në vendet e tyre në institucione të vjetruara dhe pa mend.

Qeveria e Serbisë, me Ana Brnabiç në krye, fjalë për fjalë përsërit gjithçka që Vuçiç thotë për “dialogun” me Prishtinën – ndërkohë që jep edhe disa komente raciste për udhëheqësin e Kosovës, dhe duke e shpërfaqur përbuzjen e saj për homologun e saj kosovar, Albin Kurtin, gjatë samitit të EBRD në Londër, ku edhe u vërejt se që të dy nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin.

Mirëpo Brnabiç e ka mbështetjen e fortë nga Vuçiçi për të mos u rrëzuar, ndërsa Kurti është në atë që shumë njerëz në Kosovë e quajnë “një luftë politike” me Presidentin Thaçi – sepse Kurti me të drejtë dëshiron që qeveria të marrë kontrollin e dialogut me Serbinë, ndër të tjera.

Të zgjedhur si presidentë, jo si sundimtarë despotikë

Ku qëndron problemi me këtë? Ndërsa Thaçi dhe Vuçiç janë të zgjedhur, dhe legjitimiteti i tyre si presidentë është i padiskutueshëm, askush në Kosovë apo në Serbi nuk i bëri ata mbretër, duke i marrë të gjitha vendimet politike, nga emërimet më të vogla në nivel lokal deri tek e ardhmja e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, jeta në “demokracitë e reja” të tilla si Kosova dhe Serbia është përplot me surpriza, dhe duket se një rregull i rrezikshëm ka zënë vend, me ç’rast Thaçi dhe Vuçiç me të vërtetë konsiderohen mbretër, duke mos i dhënë përgjegjësi askujt, dhe të mbështetur nga Perëndimi.

Kjo nuk do të ishte aq e rrezikshme dhe jodemokratike nëse mbështetësit e tyre, përveç Rusisë dhe Turqisë, nuk do të ishin gjithashtu edhe Uashingtoni dhe BE-ja. Duket se “Perëndimi” po bën të njëjtat gabime si më parë, duke i shpallur si “realpolitike” tendencat më të rrezikshme që kërcënojnë Evropën dhe botën – ngritjen e autoritarizmit dhe figurave despotike që duhet të zbuten dhe mësohen për sjellje të mira. Ne e pamë mënyrën se si kjo qasje funksionoi në Hungari, Poloni, Republikën Ceke dhe në shumë vende të tjera, të cilat kërcënojnë hapur ekzistencën e BE-së.

Vuçiç, ndërkohë, u kthye nga Uashingtoni me “lajme të këqija” – duke vënë në pah qartazi përpara se ai madje të takohej me ndonjë zyrtar amerikan. Zëdhënësi i tij, tabloidi më i qarkulluar në Serbi, Informer, shpalli se Vuçiç po “e luftonte betejën e Kosovës në Uashington”. (Kujtesë: Beteja e Kosovës në vitin 1389, e luftuar nga serbët dhe shqiptarët, përfundoi në një humbje për Serbinë që rezultoi me pesë shekuj të sundimit kolonial nga osmanët.)

Kësaj radhe, para se të nisej për në Uashington, Vuçiç në mënyrë të fshehtë njoftoi se po përgatitej një ultimatum të cilin “ne nuk mund të pranojmë, por as nuk duhet të refuzojmë”.

Përsëri, askush nuk ishte në gjendje ta kuptojë qartë se çfarë po fliste. Mirëpo, ky mistifikim e ndihmon atë të përbaltë ujërat para zgjedhjeve që priten në muajin Prill, kur “Çështja e Kosovës” do të jetë përsëri në qendër të fushatës së tij elektorale – siç ishte për çdo politikan në Serbi qyshkur Serbia miratoi kushtetutën e saj të parë dhe u bë shtet i pavarur, 185 vjet më parë. Që nga ajo kohë, Serbia ka miratuar një kushtetutë të re ose ka ndryshuar kushtetutën e saj në rreth çdo 16 vjet. Ne e miratuam kushtetutën e fundit në vitin 2006, 14 vjet më parë.

Loja e dyfishtë me referendumin

Pavarësisht deklaratës së fundit të Vuçiçit se ai do ta “marrë mendimin e qytetarëve për Kosovën”, duke nënkuptuar një referendum të mundshëm, ne e dimë tashmë se çfarë duhet të bëhet – njohja e Kosovës nga Serbia si republikë e pavarur, e cila tashmë është e tillë, dhe të ndryshuarit e kushtetutës, veçanërisht preambula, një histori e shkurtër e trillimeve për mënyrën sesi Kosova është ende pjesë e Serbisë, e cila u shkrua dhe u mbështet nga ultra nacionalistët serbë, përfshirë Vuçiçin, në vitin 2006. Për të ndryshuar kushtetutën, Vuçiçit i duhet një shumicë prej dy të tretave në parlamentin me 250 ulëse, ndërsa referendumi është opsional (Shih nenin 203).

Megjithëse të paqarta, zhvillimet e fundit dhe “progresi” në dialogun Kosovë-Serbi shkojnë në favor të fushatës së Vuçiçit për një mandat tjetër për Partinë e tij Progresive në zgjedhjet e ardhshme. Dominimi i tij në media, të kontrolluara kryesisht nga ai, së bashku me një opozitë të fragmentuar dhe plotësisht të padobishme – e cila mban një qëndrim edhe më të ashpër djathtist kur bëhet fjalë për Kosovën sesa që mban Vuçiç – ngre pyetjen: a janë zgjedhjet një prelud i një përpjekje për të sjellë ndryshimet e nevojshme kushtetuese  sa i përket Kosovës?

Shpresojmë, me një mandat të ri, por të sigurt, partia e Vuçiçit do të synojë një gjë të tillë. Por, të mos harrojmë se kush është Vuçiç, apo lëvizjet e tij të fundit politike; ato përfshinin uljen e pragut për partitë dhe lëvizjet e krahut të djathtë për të fituar ulëse në parlament, që njëkohësisht shërben për të nxitur në parlament kundërshtarë të shumtë dhe të dhunshëm në kundërshtim çdo normalizimi të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiç po luan një lojë të dyfishtë, si gjithmonë, duke mbajtur gjithë pushtetin në duart e tij ndërkohë përballë perëndimit shfaqet me një fytyrë të trishtuar, duke deklaruar se kundërshtimi – të cilin ai e krijoi në radhë të parë – është kundër çdo zgjidhjeje.

Vuçiç i ka të mbuluara të gjitha këndet. Ai do të mbajë në kontroll në mënyrë efektive secilin vendim politik me një mbështetje të madhe të publikut ndërkohë që, në rrafshin ndërkombëtar, vazhdon të luajë rolin e një burrështetasi, rol ky i cili për secilin në Serbi është i pakuptueshëm.

Nuk do të ishte aq e habitshme nëse ai me të vërtetë i qaset një rruge “atomike” dhe thërret një referendum për Kosovën, çfarëdo që nënkupton ai, me rezultate të pakthyeshme, por ka të ngjarë të pafavorshme për çdo përpjekje për normalizim; Vuçiç, miqtë e tij dhe mbështetësit e tyre nga ShBA dhe BE e dinë shumë mirë që përgjatë tetë viteve të fundit, qysh kur ai mori pushtetin, ai e ka mirëmbajtur dhe në fakt e ka rritur një diskurs publik racist, toksik në Serbi për shqiptarët e Kosovës.

Tani është koha që Kosova të kërkojë pak respekt

Në anën tjetër, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti duket se po rritet dhe po përpiqet të marrë përsëri kontrollin politik të Kosovës nga duart e Presidentit të Fuqishëm. Situata e ndërlikuar brenda koalicionit të Kurtit do të sjellë vetëm më shumë sfida dhe postblloqe të cilat  qeveria e tij duhet ti tejkalojë.

Por pse e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare ende nuk e respekton Kosovën si një shtet me një vullnet të sajin politik? Si u bë që janë përshtatur vetëm kërkesat e Serbisë? Pse vetëm Serbia ka statusin e privilegjuar të një pale që duhet trajtuar butësisht, si një fëmijë qaraman?

Është koha e fundit që Kosova të fillojë së shfaquri qëndrueshmërinë e saj politike dhe vendosmërinë kur bëhet fjalë për vizatimin e linjave të saj të kuqe me përkrahësit e saj të deklaruar nga Perëndimi, të cilët duket se interesohen më shumë për aspektin sentimental të Presidentit serb dhe qytetarëve të tij, sesa për gjithçka tjetër.

E thënë në një këndvështrim tjetër, a mund ta imagjinojmë edhe një referendum në Kosovë në të cilin qytetarët e Kosovës do të pyeteshin nëse ata janë dakord me atë që raportohet se mund t’i i ofrohet Serbisë një ofertë e mirë – ndarja de fakto e Kosovës me krijimin e një kuazishteti të udhëhequr nga serbët, ashtu si Republika Serbe në Bosnjë? Pse jo? A nuk i kanë qytetarët e Kosovës të njëjtat të drejta si askush tjetër? A nuk ka të drejtë qeveria e Kosovës të bëjë atë që e gjykon si të përshtatshme për qytetarët që qeveris?

Çfarëdo lloj “kompromisi” në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet të jetë i kënaqshëm vetëm për Serbinë, për të cilin, siç na mëson historia, mund të jetë e vështirë për tu kënaqur, por e pranueshme edhe për qeverinë e zgjedhur nga populli i Kosovës.

Populli kosovar tashmë ka shprehur vullnetin e tij duke zgjedhur Kurtin si kryeministër – pa copëtim të Kosovës nga kufijtë e saj të tanishëm, jo më jetesë nën geto për shkak të arrogancës nga Serbia, jo më korrupsionit dhe despotizmit politik. Vullneti i popullit të Kosovës, mbi të gjitha, duhet të respektohet nëse dikush ëndërron një zgjidhje të mundshme afatgjate për marrëdhëniet e ardhshme Serbi-Kosovë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë