Më keq se në Rambuje

Kosova ka mundur të bëjë përpara vetëm kur Perëndimi ka qenë i bashkuar në qëndrimin politik rreth saj dhe kur klasa politike kosovare ka lënë pas divergjencat e luftës për pushtet, në funksion të interesave nacionale të vendit. Sot kjo formulë e progresit politik në Kosovë është në krizë të thellë, për të mos thënë e vdekur krejtësisht.

Blerim Latifi

Situata politike në të cilën ndodhemi sot është më e vështirë se sa situatat politike në kohën e Konferencës së Rambujesë dhe në kohën e bisedimeve për statusin në Vjenë! Do të provoj me disa argumente ta mbështes këtë deklaratë, e cila, në lexim të parë, mund të duket e paqëndrueshme, nisur nga fakti se në kohën e Rambujesë ishim në luftë, ndërsa tani jemi në një gjëndje krejtësisht të ndryshme. Vërtet në dimrin e vitit 1999 ishim në një gjëndje katastrofale. E gjithë Kosova ishte në tym e flakë dhe shumica e popullatës ishe në rrugën e dëbimit gjenocidal nga Kosova, por, përkundër kësaj, politikisht ishim në përparësi ndaj Serbisë. Faktorët tanë politikë dhe ushtarakë kishin gjetur gjuhën e përbashkët dhe konsensusin e nevojshëm për të marrë vendime në emër të Kosovës, dhe çfarë ishte edhe më e rëndësishme, vetë Perëndimi shfaqej i bashkuar në raport me zgjidhjen e problemit të saj. Ky unitet i dyfishtë, brenda Kosovës dhe brenda Perëndimit, solli Marrëveshjen e Rambujesë dhe fushatën e bombardimeve të NATO-s, e cila rezultoi me çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia. Kjo formulë e këtij lloji uniteti u përsërit edhe gjatë bisedimeve të Vjenës për statusin final të Kosovës dhe sërisht rezultati ishte pozitiv për ne: Kosova u bë shtet i pavarur në shkurtin e vitit 2008!  Këta dy shëmbuj të mëdhenj na e dëshmojnë një fakt të pamohueshëm : Kosova ka mundur të bëjë përpara, vetëm kur Perëndimi ka qenë i bashkuar në qëndrimin politik rreth saj dhe kur klasa politike kosovare ka lënë pas divergjencat e luftës për pushtet, në funksion të interesave nacionale të vendit. Sot, kjo formulë e progresit politik në Kosovë është në krizë të thellë, për të mos thënë e vdekur krejtësisht. Ajo që filozofi i madh gjerman Jurgen Habermas, shumë vite më parë e quante “Përçarja e Perëndimit”, tanimë duket të mos jetë vetëm tendencë, por një realitet i prekshëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, së fundmi e pavarësuar nga Bashkimi Europian dhe shtetet kryesore të këtij Bashkimi si Gjermania dhe Franca, nuk i fsheshin më dallimet e thella midis tyre, dallime që kanë të bëjnë jo vetëm me interesat e tyre ekonomike e politike në botë, por edhe me pikëpamjet e ndryshme mbi orientimin e proceseve të globalizimit. Për fatin tonë të keq kjo përçarje e Perëndimit është duke u reflektuar edhe në rastin e Kosovës. Sot fuqitë perëndimore nuk e kanë një qëndrim unik sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar njeriun e tyre për dialogun Kosovë- Serbi. Në anën tjetër, Bashkimi Europian po përpiqet të caktojë një emisar të tij për këtë punë. Njeriu i presidentit amerikan, Richard Grenell dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, spanjolli Josep Borrell, jo vetëm që ndajnë pikëpamje të ndryshme rreth dialogut, por, ata, fare hapur, e injorojnë njëri tjetrin. Këtë e pamë edhe dje: derisa Grenell reagoi ndaj qëndrimit të kryeministrit të Kosovës për taksën, duke e quajtur atë një gabim të madh, zyra e Borellit në Bruksel e përshëndeti hapin e Kurtit duke e kualifikuar si hap pozitiv. Kjo  divergjencë vetëm sa do ta thelloj krizën dhe paqartësinë në Kosovë. Sigurisht kësaj pasoje do të vazhdojnë t’i ndihmojnë edhe faktorët politikë kosovarë, të cilët poashtu kanë dallime të mëdha rreth taksës dhe dialogut me Serbinë, madje në shumë raste dallime infantile. Mund të thuhen shumë gjëra, të bëhen shumë analiza, por një gjë është mëse e qartë : Kosova e vogël dhe e pafuqishme, nuk mundet t’i bëjë ballë kësaj përçarje të dyfishtë, përçarjes së Perëndimit dhe përçarjes së brendshme! Kjo është situata reale në të cilën ndodhemi: më e keqe se në Rambuje dhe në Vjenë!

Çfarë duhet të bëjmë në përgjigjje të saj?

Sigurisht nuk është në dorën tonë të sanojmë përçarjen e Perëndimit. Ajo çfarë është në dorën tonë është t’i japim fund përçarjes së brendshme dhe të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët e të palëkundur shtetëror për taksën dhe dialogun me Serbinë. Dikush mund të thotë se kjo është një këshillë e padobishme morale, por, në të vërtet, ajo shpreh të vetëm rrugëdalje nga situata në të cilën jemi futur tash e një kohë të gjatë. Të gjitha rrugëdaljet tjera shpiejnë në qorrskak dhe në shtim të problemeve. Rrëzimi i qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje nuk premtojnë asgjë më shumë se një periudhë të re pa qeveri, e cila mund të zgjas deri në gjysmë viti, dhe në fund krijimin e një koalicioni tjetër qeverisës, i cili përsëri do të hasë në të njëjtat vështirësi. Është marrëzi të shkosh në zgjedhje për shkak të një vendimi për heqjen e taksës, ashtu siç janë marrëzi të gjithë këto polemika populiste që po bëhen rreth taksës, e që të vetmin synim e kanë përfitimin politik të palëve. Qëndrimi i djeshëm i Kurtit ishte një përpjekje e sofistikuar për t’i kënaqur ngapak të gjitha palët e përfshira në debatin për taksën, por që duket se nuk do të funksionoj. Është momenti që ai të rezonoj në terma të realizmit politik, e t’i lë pas dere bindjet populiste, përfshi edhe pikëpamjet e tij marksiste mbi marrëdhëniet ndërkombëtare. Një lider institucional që nuk e vjedh shtetin, por as nuk e dëgjon Amerikën, është po aq i dëmshëm sa edhe një lider që e dëgjon Amerikën, por e vjedh shtetin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë