Komuna e Drenasit sqaron vendimet gjyqësore për pagat jubilare dhe tri pagat përcjellëse

Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të njoftoj gjithë qytetarët,  gjegjësisht t’i demantoj të gjithë ata, që raportin e Lëvizjes “FOL”, e kanë keqinterpretuar, duke tentuar t’i venë në lajthitje qytetarët tanë.

Ata të cilët kanë bërë këtë dezinformim në rrjetet sociale, tregojnë që nuk kanë njohuri rreth planifikimit, hartimit dhe shpenzimit të buxhetit, sepse kërkesat buxhetore të secilës komunë janë më të larta se kufijtë e caktuar buxhetor nga niveli qendror.

Rasti konkret, është edhe me vendimet gjyqësore të cilat janë ekzekutuar nga thesari gjatë vitit të kaluar dhe viteve paraprake, duke u bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë neni 40, pika 40.3, ku thotë se pas pranimit të vendimit të plotfuqishëm ose urdhrit të formës së prerë, në rastin konkret, Ministria e Financave, gjegjësisht Thesari është i autorizuar dhe ka përgjegjësinë që menjëherë të marr çfarëdo mase të nevojshme për pagimin e vendimit të urdhrit nga ndarjet buxhetore.

Pagesat e bëra jo vetëm gjatë vitit 2019, janë si rezultat i nënshkrimit të dy kontratave kolektive të sektorit të arsimit dhe atij të shëndetësisë, kontrata të nënshkruara pa mbulesë financiare, dhe duke mos na dhënë mundësinë që këto pagesa t’i planifikojmë në buxhet. Pjesa dërmuese e pagesave janë paga jubilare për 10 vjetor, 20 vjetor, 30 vjetor dhe 40 vjetor të përvojës së punës të punëtorëve të arsimit dhe të shëndetësisë, dhe tri pagave me rastin e pensionimit( pagat përcjellëse).

Sikurse Komunat tjera, edhe Komuna e Drenasit nuk ka pasur mundësinë që të planifikoj buxhet për këto shpenzime, për shkak të kufijve të caktuar buxhetor nga niveli qendror,  andaj ne si Komunë jemi të obliguar të zbatojmë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Vendimet Gjyqësore.

Nga ajo që u tha më lartë, shihet se Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk ka abuzuar dhe nuk ka bërë shkelje ligjore, por në rastin konkret ka zbatuar ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës (zbatimin e vendimeve gjyqësore).

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë