Fundi i socialdemokracisë angleze

Britania social-demokratike tashmë është një gjë e lodhur dhe e dëmtuar. Pyetja është se çfarë do të mbetet prej saj deri në kohën kur Partia Laburiste do të arrijë të fitojë sërish një palë zgjedhje të përgjithshme.

Nga Matt Seaton

Pasoja e menjëhershme dhe e dukshme e zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Britaninë e Madhe është se Partia Konservatore e Boris Johnson-it ia doli me sukses pikërisht aty ku Theresa May  dështoi në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në vitin 2017. Johnson ia doli të merrte një  shumicë të theksuar parlamentare, e cila i lejon të kalojë ligjin e nevojshëm për të lehtësuar daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Ironia e zbehtë e këtij boshllëku dyvjeçar dhe kalimi i lidershipit të partisë nga May te Johnson është se marrëveshja e këtij të fundit është mjaft më e keqe – nga këndvështrimi i atyre që mbështetin Brexit-in – sesa marrëveshja që May nuk ia doli disa herë ta kalonte në Parlamentin e mëparshëm. Sidoqoftë, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019 do të mbahen mend si momenti kur votuesit britanikë votuan një “po” duke rezonuar një referendum të dytë de fakto për Brexit dhe i dhanë Boris Johnsonit mandatin për të bërë ligjin e tij të marrëveshjes dhe të përpiqet për të përmbushur afatin e fundit të Brexit-it (31 janar 2020).

Pra, sado të largëta të jenë efektet e këtij vendimi që i vë pikën historisë së Brexit-it, zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019 mund të ndryshojnë peizazhin e politikës britanike dhe strukturën e shoqërisë së saj në mënyra edhe më të thella dhe vendimtare. Kompromisi i Brexit-it për statusin e Irlandës Veriore, gjysmë në Europë dhe gjysmë jashtë saj, është një mosmarrëveshje kushtetuese e paqëndrueshme që rrezikon paqen e brishtë që është mbajtur atje që nga Marrëveshja e së Premtes së Mirë në vitin 1998, ndërsa përshpejton shpresat e disave për një Irlandë të Bashkuar. Por e ardhmja e Bashkimit përballet me një sfidë akoma më të ngutshme nga thirrjet e ringjallura për referendum mbi pavarësinë për Skocinë, ku një shumicë e madhe e votuesve favorizojnë anëtarësimin e mëtejshëm në Evropë. Fantazma e “copëtimit të Britanisë” që e ka përndjekur Mbretërinë e Bashkuar mund të materializohet më në fund – pikërisht në momentin kur nacionalistët anglezë po festojnë fitoren e tyre në Brexit.

Kaq shumë për peizazhin politik; por çfarë mbetet prej strukturës sociale? Një humbje e katërt e njëpasnjëshme për Partinë Laburiste, me programin e saj më ambicioz kundër masave shtrënguese, dhe një fitore të hapur për një Parti Konservatore që ka larguar të moderuarit e që thelluan përçarjen, ka shtrydhur qendrën liberale dhe ka prishur konsensusin deri në polarizim. Një pakicë britanikësh – afërsisht një e treta, të cilët tani do ta shohin veten si të shpërfillur – votuan për një zgjerim rrënjësor të sektorit publik, një hap të madh përpara drejt një Britanie socialiste. Por shumica zgjodhi një parti që, ndërsa premton më shumë shpenzime, në të vërtetë ka rikrijuar veten rreth një vizioni të ringjallur theçerian të darvinizmit social përjashtues, kundër barazisë dhe moralizues. Një pjesë e koalicionit zgjedhor të konservatorëve mund të ketë më shumë reflekse shoviniste për mirëqenien, por pjesa më e madhe e tij nuk i beson shtetit, kundërshton taksimin që paguan për të, dhe do të donte t’i tkurrte të dy.

Ajo që është në diskutim pas këtyre zgjedhjeve – në një Britani që së shpejti mund të bëhet Angli dhe Uells – është e ardhmja e asaj që e ka bërë atë një vend të civilizuar me arsye që nga viti 1945: demokracia sociale. Ky vlerësim përfundimtar në sagën e gjatë dhe të dhimbshme të Brexit-it, me shumë mënyra, ka çmimin e vet. Në fletëvotim nuk kishte asnjë opsion të besueshëm të qëndrim të mëtejshëm në Europë. Në këtë mënyrë, këto zgjedhje ishin një humbje përfundimtare për kauzën e mosdaljes nga BE-ja.

Në të njëjtën kohë mund të ketë qenë edhe ndryshe – Britanikët që mbështesnin mosdlajen nga BE-ja dolën në rrugë në një numër të madh në disa raste gjatë tre viteve të fundit për të protestuar kundër Brexit-it. Por liberaldemokratët e “shtuan dozën” me “partinë Remanin (Qëndro në BE)” duke premtuar jo një referendum të dytë, por një revokim të nenit 50 – që do të anulonte Brexit pa pasur nevojë për një votim të dytë. Nga ana e saj, Partia Laburiste e udhëhequr nga Jeremy Corbyn vazhdoi politikën e saj të përpjekjes për të mos pasur një pozicion të qartë mbi një kompromis të pamundur për Brexit. Ajo ofroi një referendum të dytë për një marrëveshje të supozuar që një qeveri laburiste do të rinegocionte me Bashkimin Evropian, një marrëveshje për të të cilën kreu i partisë ishte aq pak i bindur, saqë, gjatë fushatës zgjedhore, ai deklaroi se ai vetë do të abstenonte nga fushatat për të, pro apo kundër, në një referendum të dytë.

Ka qenë gjithnjë në mëdyshje fakti nëse një referendum i dytë ishte me të vërtetë zgjidhja që kërkonin ata të cilët kërkonin të mbeteshin (d.m.th., për të prishur rezultatin e referendumit të vitit 2016), por ajo për të cilën nuk ka dyshim është se kauza “Mbetemi në BE” u zvarrit nga një lidership politik që i mungoi koherenca. Partia Laburiste, gjithmonë partia kryesore e opozitës ndaj konservatorëve në një sistem parlamentar të mbizotëruar nga dy parti, ka një pjes ëtë madhe të përgjegjësisë për refuzimin për ta kundërshtimin e Brexit-it.

Argumenti legjitim për gjuhën ambigue të laburistëve mbi Brexit Brexit është se, megjithëse anëtarësia e partisë mbështet në 85-90 opsionin “Mbetemi në BE”, ai përsëri fiton vende në  Parlament  – ose e ka bërë – në elektoratin kryesisht të klasës punëtore në Midlands, Veri, dhe Verilindje të Anglisë (Skocia është çështje tjetër), pjesë të vendit që partia i konsideron si bastione të saj historike. Në këto zona, ka votues të ashtuquajtur “jakat blu”, të cilët janë më të vjetër, më socialë konservatorë, më nacionalistë dhe, përgjithësisht, më shumë kundër emigracionit sesa anëtarësimi aktivist shumë më përparimtar i laburistëve, megjithatë partia ndien, nga të gjitha lidhjet shpirtërore dhe historike, se ata megjithatë janë njerëzit e saj. Por edhe në këto zona elektorale besnike, votat treguan se votuesit aktualë laburistë megjithatë e braktisën opsionin “Mbetemi në BE”, jo “Largohemi nga BE”; dhe që një pjesë e mirë e atyre votuesve “të natyrshëm” laburistë kanë dezertuar, ose së pari nga Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar ose më vonë partia pasardhëse e saj, Partia Brexit. Shumë prej tyre do të kenë votuar konservatorët në këto zgjedhje bazuar nga premtimin e Johnson për “ta çuar në fund Brexit-in”.

Ndoshta tragjedia më e madhe e Brexit për laburistët, sidoqoftë, nuk është se ajo nuk arriti të udhëheqë kundërshtimin ndaj Brexit, por që ata ranë dakord për referendumin që në fillim. Ky ishte një gabim katastrofik. Ideja e mbajtjes së një plebishiti Brexit ishte një premtim për zgjedhjet konservatore; Partia Laburiste jo vetëm që nuk ishte e detyruar nga politika, por mund ta kundërshtonte atë, duke e etiketuar atë një “referendum i konsevratorëve”, duke refuzuar të marrë pjesë në fushatat para referendumit, duke i mohuar legjitimitetin dhe duke hedhur poshtë çdo rezultat. Në debatin parlamentar të vitit 2015 për legjislacionin që mundësoi referendumin, zëdhënësi i çështjeve të jashtme në Partinë Laburiste tha atë që ishte e qartë për të gjithë: se motivimi i konservatorëve për mbajtjen e një referendumi ishte “me qëllim që të përpiqeshin të përballeshin me ndarjet”. Megjithatë këtu ishte Partia Laburiste që mbështeti miratimin e projekt-ligjit.

Pse u dashka të ndihmosh rivalin politik me përçarjet brenda partisë tënde? Rezultati tregoi që konservatorët janë ribashkuar, më të fortë se kurrë, ndërsa vetë laburistët janë dobësuar nga ndarjet për çështjen Brexit. Pjesë të manifestit të laburistëve ishin padyshim tërheqëse për shumë votues, por në këtë cikël zgjedhor, mesazhi i papërpunuar por efektiv i konsevatorëve për Brexit trumbetoi gjithçka që laburistët mund të ofronin – dhe refuzimet e Corbyn ishin edhe më të larta se sa ato të Johnson-it. Pas një humbjeje kaq të rëndë, pasoja tjetër e zgjedhjeve të vitit 2019 do të jetë tërheqja e Jeremy Corbyn. Ai ka udhëhequr Partinë Laburiste jo vetëm për të regjistruar humbjen e saj të tretë dhe të katërët njëra pas tjetrës — ajo humbi në 2010, 2015 dhe 2017 — por për të pasqyruar rezultatin e saj më të keq, sipas numërimit të vendeve në Parlament, në historinë e pasluftës: që nga momenti më i keq, ai i vitit 1983. Ky është një rezultat vërtet kataklizmik për laburistët.

Viti 1983 ishte viti kur vetë Jeremy Corbyn u zgjodh për herë të parë në Parlament. Në të vërtetë, ai ka kuptim si kafshë politike vetëm kur shihet përmes prizmit të betejave sektare të së majtës përpara atyre zgjedhjeve. Partia kishte kaluar nëpër një betejë politike të brendshme, në të cilën një përpjekje thelbësore e majtë për të instaluar Tony Benn si nënkryetar radikal sapo ishte mposhtur në konferencën vjetore të partisë nga sindikatat e qendrës së djathtë me votën e tyre në bllok pas Denis Healey. Udhëheqësi që kishte për qëllim të mbante partinë të bashkuar, Michael Foot, ishte një intelektual i respektuar dhe i vjetër I së majtës; ai nuk e gëzoi besimin e publikut.

Toni Benn besonte në shtetëzimin e “lartësive komanduese” të ekonomisë – jo vetëm shërbimet komunale dhe hekurudhat (atëherë ende në pronësi të shtetit), por edhe sektorë të mëdhenj të industrisë, përfshirë prodhimin, pavarësisht nga performanca e keqe e shumë ndërmarrjeve të kombëtarizuara më parë. Krahas kësaj, rritja e mbështetjes benite në mesin e anëtarëve aktiviste të partisë, në të cilët hynte edhe Corbyn, po kërkonte një politikë çarmatimi të njëanshëm bërthamor. Ky pozicion, i cili nuk gëzonte mbështetje popullore, do ta bënte të padiskutueshëm vendin e Britanisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mënjanoi vendin nga NATO. Manifesti tridhjetë e nëntë faqesh me të cilin laburistët hynë në zgjedhjet e vitit 1983 u përshkrua me bujë nga një deputet laburist si “letra më e gjatë e vetëvrasjes në histori”.

Ndarja ideologjike kishte rezultuar gjithashtu në formimin e Partisë Socialdemokrate, një grup i shkëputur nga deputetët e deputetët laburistë liberalë të qendrës. Edhe më shumë sesa manifesti, ishte kjo ndarje që siguroi që viti 1983 ishte një disfatë. Brenda grupit parlamentar të Partisë Laburiste, një pakicë socialiste e linjës së ashpër me dy duzina deputetësh formuan Grupin e Fushatës Socialiste për të mbajtur të gjallë flakën benite; Corbyn u bë sekretari jetëgjatë i grupit. Këta disidentë të majtë shpesh votuan kundër linjës së partisë së tyre ndër vite, veçanërisht për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare, për të cilat udhëheqja e laburistëve dëshironte të mbështeste qeverinë e konservatorëve.

Grupi i Fushatës gjithashtu nuk pranoi përpjekjet e liderit të ri të partisë, Neil Kinnock – një ish-reformist i kthyer në benit – për ta bërë Partinë Laburiste sërish opsion të fuqishëm. Në mesin e viteve 1980, Kinnock filloi udhëheqjen e tij me dëbimin e një fraksioni trockist të njohur si Tendenca Militante, e cila kishte bërë “hyrjen” e Partisë Laburiste në projektin e saj politik, me një sukses në marrjen në dorëzim të organizatave lokale të partisë, më së shumti në Liverpool.

Corbyn nuk ishte trockist, megjithëse ai kundërshtoi politikën e partisë për të nxjerrë jashtë ligjit fraksione të tilla. Përgjatë viteve 1980 dhe 1990, Corbyn ndoqi politikën e tij të guximshme, të majtë në një mënyrë margjinale, vetëm herë pas here duke marrë famë kombëtare për mbështetjen e tij publike të Sinn Féin — në një kohë kur armët dhe bombat e IRA-s po vrisnin jo vetëm ushtarët britanikë dhe oficerët e policies së Irlandës së Veriut, por edhe civilë anglezë në kontinent. Vetëm qëkur vetë Corbyn u bë udhëheqës, në vitin 2015,  rekordi i tij i solidaritetit ndërkombëtar me grupe të tjera terroriste – ato që ai i shihte në kundërshtim me imperializmin amerikan – hyri nën një kontroll serioz, në veçanti bashkëpunimi i tij miqësor me Hezbollahun, Hamasin, dhe Organizatën e Çlirimit të Palestinës

Kontakti me grupe të tilla nuk është automatikisht skualifikues, por çdo politikan përgjegjës britanik do të dëshironte të kujdesej që nisma të tilla në rrugën e paqes dhe dialogut të mos ndërpresin kanalet zyrtare diplomatike. Por kjo nuk ishte shqetësimi i Corbyn. Ai dhe të tjerët që ndjekin bindjen e tij e konsiderojnë imperiumin amerikan si burimin e çdo të keqeje në botë dhe në Lindjen e Mesme, kjo do të thotë ta shohësh Izraelin si përfaqësuesin e Amerikës.

Kjo shkon në zemër të çështjes së antisemitizmit që e gjallëroi kështu udhëheqjen e Corbyn te laburistët. Pak njerëz besojnë se ai vetë është një antisemit, por a u kujdes ai që ta disiplinonte antisemitizmin midis mbështetësve të tij të majtë në parti? Është e qartë që jo. Pse jo? Sepse, sipas tij, kërcënimi i vërtetë për përparimin dhe paqen në botë është SHBA dhe Izraeli, aleati i saj. Prandaj, kushdo që mbështet Izraelin – i cili do të përfshinte shumicën e hebrejve britanikë – është i dyshuar. Kundërshtimi i Corbyn ndaj imperializmit amerikan, me kritikën e tij fundamentale të Izraelit, thjesht tejkaloi pak nga bindjet e tij antiracizëm që shqetësohen për antisemitizmin. Duhet shtuar këtu se, për përkrahësit e Corbyn, problemi antisemitizëm i laburistëve nuk është gjë tjetër veçse një konfeksion mediatik, i kthyer në njëfarë dajaku nga armiqtë e tij politikë. Këto raporte mohimi mbi refuzimin e vazhdueshëm të Corbyn për të trajtuar elementet toksike brenda partisë së tij, një dështim që bëri që kreu i rabinëve të Britanisë të deklarojë gjatë fushatës zgjedhore se Corbyn ishte “i papërshtatshëm për detyrën”.

Dhe pastaj erdhi Brexit dhe pozicioni i paqartë i laburistëve, për një çështje politike të importit më të madh historik. Ne e dimë qëndrimin personal të Corbyn: euroskeptik. Ai votoi kundër anëtarësimit të Britanisë në Tregun e Përbashkët Evropian në vitet 1970 dhe kurrë nuk u tërhoq nga pikëpamja e majtë disidente se BE është në thelb një klub kapitalist. (Një gjë për të cilën Corbyn nuk mund të bëhet fajtor është devijimi nga pozicionet e tij parimore: është e vështirë të dalloni ndonjë çështje mbi të cilën ai ka ndryshuar mendje në të gjithë jetën e tij politike.) Politika e Brexit që ai e mbështeti pas rezultatit të referendumit – thjesht për të negociuar një marrëveshje “më të butë” që do të ruante bashkimin doganor dhe rregullat e BE-së mbi të drejtat e punëtorëve – ishte në përputhje me idenë e “Lexit” (Left Exit), ose një Brexit të Majtë. Lexit do të nënkuptonte largimin nga Evropa, me konsensusin e tij mbi kapitalizmin e rregulluar të balancuar me një shtet social bujar, në mënyrë që të ndërtonte “socializmin në një vend”. Kjo dikur mund të ishte një kërkesë fisnike, por në ditët e sotme në një botë me ekonomi  shumë të integruar, ku kapitali është i lirë të lëvizë, kjo mund të konsiderohet një ide donkishoteske.

Sa larg do të jetë Britania e pas-Brexitit nga ajo ëndërr socialiste për një Jeruzalem të Ri, kjo mbetet ende për t’u parë. Britania në vitet që do të vijnë do të jetë një ekonomi më e vogël dhe – veçanërisht për çdo qeveri të krahut të majtë – më pak kapacitet për të marrë hua, me kosto të ngritura dukshëm për ta bërë këtë. Në çfarëdo rasti, cila është perspektiva e një qeverie të majtë?

Historia nuk është inkurajuese: pas vitit 1983, Partia Laburiste humbi dy palë zgjedhje nën drejtimin e Neil Kinnock. Pas një mungesë tetëmbëdhjetë vjeçare gjatë hegjemonisë së Thatcher-it, Partia Laburiste më në fund u kthye në fushën e betejës elektorale në vitin 1997 me një teknokrat karizmatik të qendrës, të quajtur Toni Bler. Meritat ose ajo që pasoi në vitet e Partisë Laburiste të Re janë një argument tjetër, por Kinnock – profeti që e nxori partinë e tij nga shkretëtira – meriton një konkluzion përfundimtar. Duke e parë me ankth zgjedhjen e Corbyn si udhëheqës, Kinnock deklaroi se ai, në atë kohë në moshën shtatëdhjetë e katër vjeç, nuk priste të shihte një qeveri tjetër të laburistëve në jetën e tij. Me fjalë të tjera, ai parashikoi një rrugë të gjatë dhe me pengesa përpara për laburistët përpara se ajo të kthehej nga shmangia drejt puritanizmit socialist dhe të nisej drejt një politike të moderuar reformiste të aftë për të mbledhur një koalicion zgjedhor fitues.

Edhe pasi Corbyn të largohet përfundimisht, makineria e tij do të vijojë të funksionojë. Anëtarësia e partisë do të votojë për të zgjedhur një drejtues, por komiteti ekzekutiv kombëtar (organi më i rëndësishëm drejtues i partisë) ka kontroll të madh mbi procesin. Një grupim socialist që përfshin deputetë besnikë, aktivistë nga lëvizja e majtë Momentum dhe kandidatët e sindikatës së fuqishme të UNITE kanë një bllokim në NEC dhe me siguri do të luajnë rolin e “kingmakerit”. Kandidati më i mundshëm do të kthehet në kancelar në hije, John McDonnell, nëse ai zgjedh të kandidojë. (Edhe para zgjedhjeve, “figura të larta të partisë” patën thënë se ai do të bëhej udhëheqës i përkohshëm nëse Corbyn tërhiqet)

Megjithëse me shumë respekt nga e njëjta “pëlhurë” ideologjike si Corbyn, për të majtën e fortë laburiste, në fillim të viteve 1980, McDonnell nuk ka të njëjtat prirje si Corbyn për solidaritet me grupet terroriste. Dhe ai është një politikan shumë më i zoti, i aftë për të lënë mënjanë ideologjinë për avantazh taktik – vitin e kaluar, për shembull, ai arriti të marrë një vëmendje të gjerë nga “Financial Times” për planet e tij ekonomike.

McDonnell gjithashtu do të ishte i duhuri për të galvanizuar qindra mijëra njerëz, kryesisht të rinj që i janë bashkuar partisë vitet e fundit. Sipas rregullave të ndryshuara të partisë pas vitit 2014, që u dhanë anëtarëve më shumë mundësi për t’u shprehur për zgjedhjen e lidershipit, këta anëtarë të rinj kanë sjellë një valë të fuqishme energjie dhe entuziazmi në organizimin e fushatës laburiste laburiste – ndryshe nga ç’kanë socialistët demokratë të Amerikës në krahun përparimtar të Partisë Demokratike. Një pjesë e fatkeqësisë së viteve gjatë të cilave ka drejtuar Corbyn ka qenë që aq shumë entuziazëm midis një brezi të pas Luftës së Ftohtë, për të cilin fjala socializëm nuk ka nuanca të shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik, është çuar dëm me një lider kaq të çalë dhe të kufizuar. Jezza nuk ishte Bernie.

Duke supozuar se McDonnell ose dikush si ai bëhet lideri tjetër i laburistëve, cilat janë shanset e tyre për ta bërë partinë përsëri opsion elektoral? Sfida është tashmë e vështirë – jo më pak sepse humnera ideologjike midis bazës aktiviste të laburistëve dhe pjesës tjetër të vendit është më e gjerë nga sa ka qenë të paktën që nga fillimi i viteve ’80. Ekziston mundësia që një udhëheqës i talentuar ta mbyllë këtë boshllëk: nuk ka dyshim se programi i politikave laburiste, i paraqitur në manifestin e tyre për vitin 2017 dhe versioni akoma më radikal i vitit 2019, rri mirë te britanikët e lodhur nga masat shtrënguese. Por laburistët përballen me një kërcënim epokal për kapacitetin e partisë për të fituar një shumicë qeverisëse në Parlament nëse Skocia largohet nga Unioni.

Logjika politike e pavarësisë së Skocisë bëhet më shumë se imponuese me çuarjen në fund të procesit Brexit nga një qeveri e re konservatore e udhëhequr nga Johnson. Me shfaqjen shumë të fortë të Partisë Kombëtare Skoceze në këto zgjedhje, kjo logjikë është praktikisht e parezistueshme. Referendumi i fundit për çështjen kombëtare, në vitin 2014, rezultoi në një raport 45:55 për të qëndruar bashkë. Por votuesit skocezë zgjodhën opsionin “Mbetemi në BE” në referendumin e vitit 2016 me një raport 62:38, dhe trajtimi i rastësishëm i konservatorëve anglezë të Irlandës Veriore në ndërhyrjen në negociatat Brexit nuk mund të ketë garantuar asnjë skocez se Londra ka më shumë përparësi interesat e tyre sesa ato të Ulster-it. SNP (Partia Kombëtare Skoceze) ka sinjalizuar pa dyshim se do të kërkojë një IndyRef të ri; dora e saj është edhe më e fortë tani, pasi ka siguruar dyzet e tetë nga pesëdhjetë e nëntë vendet e mundshme skoceze.

Nëse nacionalistët ia dalin në atë votim, atëherë një largim i drejtuar nga SNP i Skocisë nga Bashkimi do të jetë një thikë në zemrën e demokracisë sociale të Britanisë së Madhe. Partia Laburiste humbi “murin e saj të kuq” në kufirin verior pas viteve të Bler-Brown, por hegjemonia e SNP-së është ndërtuar mbi shndërrimin e saj nga një parti nacionaliste kryengritëse në një parti të pjekur social-demokratike, duke zëvendësuar Partinë Laburiste si gardiane e shërbimit shëndetësor dhe të mirave publike; në sondazhet parazgjedhore këtë muaj, vota e laburistëve në Skoci ra në përqindje te adoleshentët. Prishja e këtij bashkimi do të thoshte heqje e vendeve të Skocisë nga Parlamenti britanik. Kjo paraqet një pengesë të re të madhe për Partinë Laburiste, e detyruar që prej kësaj të konkurrojë si një parti angleze dhe uellsiane, pa pasur as mundësinë e një koalicioni social-demokratik me SNP (Partia Kombëtare Skoceze).

Demokracia sociale britanike, siç është, është pothuajse tërësisht trashëgimi e qeverisë së laburistëve të viteve 1945-1950. Administrata e Attlee mbahet mend si më radikalja dhe më reformuesja në historinë politike britanike, por a ishte edhe socialiste? Arritja e saj kurorëzuese ishte krijimi i një shteti të mirëqenies – bazuar në idetë e dy ekonomistëve liberalë, John Maynard Keynes dhe William Beveridge. Sekretari (i përgjithshëm) i Partisë Laburiste të asaj kohe, Morgan Phillips, mbahet mend më së shumti për zbatimin më shumë të ideologjisë së metodizmit sesa marksizmit. Mbi të gjitha, mbase, demokracia sociale në Britani lindi në një moment unik të solidaritetit klasor dhe unitetit kombëtar të farkëtuar nga mobilizimi i kohës së luftës

Kur konsensusi i pasluftës që kishte mbështetur demokracinë sociale britanike u prish, tridhjetë e ca vjet më vonë, Margaret Thatcher u bë gati për ta varrosur. Ajo bindi shumë britanikë, përfshirë votuesit anglezë të klasës punëtore, se nuk kishte “asgjë si shoqëria”, se lëvizshmëria shoqërore mund të vinte jo me dispozita universale dhe asistencë qeveritare, por vetëm me lëvizje individuale dhe zgjedhje personale. Ky mesazh nuk rezonoi kurrë me zë të lartë në Skoci dhe Uells, por ai përshtatej me logjikën e periferive dhe qytetin-treg Angli, mjedisi nga i cili erdhi vetë Thatcher.

Duke përfituar nga zhgënjimi popullor me laburistët e rinj në recesionin e pas vitit 2008, konservatorët aplikuan terapinë e goditjes së masave shtrënguese, duke krasitur pamëshirshëm përsëri shtetin e mirëqenies në mënyra që Thatcher vetëm mund t’i kishte ëndërruar. (Arkitekti i planit të masave shtrënguesey, kancelari i atëhershëm konservator, George Osborne, është shpërblyer, për ato që pa dyshim i konsideron meritat e tij personale, me jo më pak se gjashtë punë që paguajnë fatura – përfshirë drejtimin e asaj që ka mbetur nga gazeta e përditshme e Londrës, “The Evening Standard”, i cili është në pronësi të djalit të një oligarku rus: një regjistër më shumë sesa simbolik që tregon sa i lidhur është shtypi dhe ekonomia politike në Britaninë e sotme.) Trashëgimtarët e Thatcher-it në Partinë Konservatore ia kanë dalë të ndërtojnë këtë hegjemoni e parë Bashkimin Evropian si shteti i ri “dado” që britanikët duhej ta braktisnin për të vënë në jetë fatin e tyre të vërtetë. Laburistët e rinj të Tony Blerit vetëm në disa raste bënë një mbrojtje të vakët të BE-së; laburistët e Corbyn e braktisën edhe atë pak mbrojtje.

Zgjedhja e një qeverie konservatore të udhëhequr nga Johnson sinjalizon përfundimin efektiv të interesit kombëtar në dramën e Brexit. Tani do të jetë çështje e një shqyrtimi të mundimshëm legjislativ, duke i hapur rrugën një periudhe të zgjatur të negociatave tregtare – të gjitha detaje teknike që do të jenë tepër të mërzitshme për shumicën e votuesve. Johnson identifikohet si një “konservator nacionalist”, në traditën çërçilliane të pajtimit të klasave dhe unitetit kombëtar, por partia që ai drejton ka zgjidhur përçarjen e saj të brendshme duke dëbuar të moderuarit e saj pro-evropianë dhe duke kapur votuesit që kishte humbur nga UKIP dhe Partia Brexit: tani është më e djathtë, më nacionaliste, haptas më theçeriane sesa ka qenë për një gjeneratë të tërë- një përmbysje absolute e projektit të ish-drejtuesit të tij, David Cameron, për ta bërë partinë “më të butë” dhe më konsensuale. Britania social-demokratike tashmë është një gjë e lodhur dhe e dëmtuar. Pyetja është se çfarë do të mbetet prej saj deri në kohën kur Partia Laburiste do të arrijë të fitojë sërish një palë zgjedhje të përgjithshme.

Burimi: The New York Review of Books

/ ResPublica

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë