Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Të enjten është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Drenasit, ku të pranishëm ishin anëtarët e KKSB-së, si dhe monitorues nga UNMIK-u.

Mbledhjen e ka hapur nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi dhe ka paraqitur pikat e rendit të ditës të këtij takimi.

Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 29.08.2019;

Diskutim për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 6 tetorit;

Diskutim për masat e ndërmarra për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale;

Të ndryshme.

Pika e parë e procesverbalit nga mbledhja e kaluar u aprovua pa ndryshime.

Për pikën e dytë për shkaqe objektive u propozua që të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.

Ndërsa për pikën e tretë raportoi Drejtoresha për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural e cila tha se pasi që tani më jemi në prag te sezonit dimëror edhe përkundër përpjekjeve dhe bashkëpunimit të mirë me Drejtorinë e Inspeksionit dhe me Policinë e Drenasit po ka dëmtime të pyjeve. Drejtoresha shtroi nevojën për një vetëdijesim për ruajtjen e pyjeve në të mirë të përbashkët.

Përfaqësuesit e policisë potencuan se nga ana e tyre janë duke bërë përpjekje që në kuadër të autorizimeve të tyre të parandalojnë dëmtimin e pyjeve nga prerësit ilegalë.

U diskutua dhe kërkua që të shqyrtohen mundësitë e caktimit të një vendi për shitësit e druve, pasi që shitja e tyre po bëhet në vende të papërshtatshme, veçanërisht në Komoran.

Për pikën të ndryshme u diskutua edhe për mundësitë që pranë vendkalimit të këmbësoreve në Zabel të Ultë të vendosen disa pengesa në mënyrë që ngasësit të zvogëlojnë shpejtësinë.

Gjithashtu u diskutua edhe për qentë endacakë dhe mundësitë për të adresuar drejt këtë çështje pasi që tashmë është në kompetencë të AVUK-ut.

Në përfundim të mbledhjes nënkryetari Hasi falënderoi Milaim Musliun, përfaqësues i FSK-së, për kontributin e ofruar deri më tani dhe i uroi suksese në detyrën e re me dëshirën që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe me anëtarin e ri.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë