Limaj në Klinë: Më 6 tetor festojmë fitoren e madhe të Nismës

Kandidati i Nisma Socialdemokrate për kryeministër Fatmir Limaj ditën e sotme të fushatës zgjedhore e ka nisur duke kërkuar unitet nga gjitha partitë politike për t’u bërë bashkë për sfidat që e presin Kosovën në të ardhmen, teksa tha se kundërshtarët politikë i shohin si pasuri, e jo armiq. Limaj para strukturave dhe simpatizantëve në Klinë po ashtu shpalosi disa nga prioritetet e tij qeverisëse.

Ai tha se Qeveria e tij do të ketë më shumë zhvillim ekonomik dhe një shtet social.

“Ne kundërshtarët tonë i shohim si pasuri, nuk i shohim si armiq. Në fakt, kundërshtarët tanë i shohim si mundësi për ide të reja. Ne nuk frikohemi që në fushatë elektorale për t’i thënë atyre njerëzve që edhe për juve kemi nevojë. Kemi nevojë edhe për kundërshtarin politik”, tha ai.

Limaj duke folur për qasjen e tij unifikuese tha se Kosovës për t’u bashkuar i duhen njerëz me pjekuri politike.

“Kosova për t’u bashkuar duhet njerëz me pjekuri politike, me urtësi politike e që dinë t’ia vlerësojnë mendimin ndryshe tjetrit e që e ka durimin e mjaftueshëm për të bashkëbiseduar e për të gjetur zgjidhje për vendin. Në tavolinë nuk mund të bashkon ai që shan dhe ai që përçan”, tha ai. Kandidati për kryeministër mes tjerash renditi dhe gjitha arsyet pse Kosova ka nevojë që të jetë e bashkuar.

“Si asnjëherë më parë Kosova, ka nevojë që të jetë sa më e bashkuar. Kosova sot dhe qytetari sot dëshiron të shohë një shtet të fortë dhe fuqishëm. Një shtet social, një shtet ku ka vende të reja të punës. Një shtet ku mbrohen të drejtat e punëtorëve. Një shtet ku i del në ndihmë atyre që ka nevojë”, tha ai. Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Klinë, njëherësh kandidat për deputet, Muhamet Gashi duke kërkuar votën për partinë e tij, tha se Nisma angazhohet fuqishëm për një arsim, zhvillim ekonomik dhe shëndetësi cilësore.

“Vota për Nismën do të thotë për arsim më cilësor, shëndetësi cilësore. Për një rini të avancuar dhe një pleqëri të shëndetshme”, tha ai.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë