Lajm i mirë për Drenasin. Miratohet buxheti për vitin e ardhshëm

Asambleja komunale e Drenasit, miratoi Buxhetin për vitin e ardhshëm dhe projeksionet buxhetore, për dy vitet tjera. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka falënderuar pozitë e opozitë për votimin e buxhetit.
Njoftimi i plotë i Lladrovcit:
E miratuam buxhetin e komunës, falënderoj hartuesit, bashkëpunëtorët, qytetarët dhe të gjithë asamblistët komunal për këtë miratimin e Buxhetit.
Sot, Asambleja komunale e Drenasit, miratoi Buxhetin për vitin e ardhshëm dhe projeksionet buxhetore, për dy vitet tjera. Si asnjë herë më parë, pozitë dhe opozitë, shqyrtuan propozimet dhe projeksionet për projektet në shërbim të qytetarëve dhe së bashku, me shumicë dërmuese, i miratuam.
Pas dëgjimeve buxhetore, nëpër fshatra, lagje dhe bashkësi të fshatrave, ne propozuam këtë buxhet që u miratua sot, si asnjë herë më parë, kemi dëshmuar se të gjithë së bashku, kemi një qëllim- mirëqenien e qytetarëve të komunës tonë.
Kjo është dëshmi që qytetarët e Drenasit duhet të jenë krenar me asamblistët e vet, që interesin e qytetarëve e kanë në vend të parë e jo garën politike dhe pozat demagogjike. Është edhe një dëshmi më shumë, se kur interesi i qytetarëve është në vend të parë, asamblistët pa dallim partie, janë unik.
Pas miratimit të buxhetit, unë jam sot më i lumturi në komunën tonë, sepse, qytetarët do të kenë shumë shpejt, prioritetet e tyre, në zbatim, pa asnjë dallim, duke i shpërndarë projektet sipas prioriteteve. Për këtë, qytetarët na kanë dhënë besimin, andaj, ne me përkushtim, po e realizojmë zotimin para tyre dhe pritshmërinë e tyre.
Me dhjetëra projekte janë aktualisht në zbatim, e shumë të tjera tashmë janë të përfunduara. Ne nuk do të ndalemi së zbatuari ligjin dhe obligimin ndaj qytetarëve, për mirëqenien e tyre, sepse, ky është qëllimi dhe detyrimi ynë ligjor, moral e patriotik. Komuna e Drenasit ka nevojë ende për më shumë punë e projekte për qytetarët, ne jemi këtu, të angazhohemi, secili sipas përgjegjësisë, së bashku të bëjmë më të mirën e mundshme.
Faleminderit asamblistë e ekzekutiv i komunës, gëzuar qytetarë të Drenasit!