Ferat Shala: Shkolla e Negrovcit i ka themelet në djersën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit shqiptar

Kandidati për deputet i PDK-së, Ferat Shala ndihet i emocionuar dhe shumë krenar me shkollën e tij të parë “Jusuf Gërvalla” në Negrovc, e cila sot shënoi ditëlindjen e 70-të, raporton DrenicaOnline.

Ai ka thënë se shkolla shqipe e Negrovcit i ka themelet në djersën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit shqiptar, andaj ajo do të gëzojë edhe shumë ditëlindje si kjo e sotmja, deri sa të rrojë gjuha shqipe dhe shpirti shqiptar.

Statusi i plotë i Shalës:

Shumë i emocionuar dhe shumë krenar me shkollën time të parë “Jusuf Gërvalla” në Negrovc, e cila sot shënoi ditëlindjen e 70-të.

Leksionet e mësuesve atdhetarë të kësaj shkolle u bënë jehonë për brezat e sotëm dhe porosi për brezat e së nesërmes.

Shumë i emocionuar edhe me nxënësit e lirisë, të cilët nuk i paskan harruar aspak mësuesit tanë fisnikë, si Sherif Krasniqi dhe të tjerë, që e mbajtën gjallë flakadanin e diturisë në këtë pjesë të Drenicës.

Krenar që kam qenë njëri nga nxënësit ëndërrimtarë të kësaj shkolle me shpirt fisnik dhe zemër të madhe.

Shkolla shqipe e Negrovcit i ka themelet në djersën dhe gjakun e bijve më të mirë të kombit shqiptar, andaj ajo do të gëzojë edhe shumë ditëlindje si kjo e sotmja, deri sa të rrojë gjuha shqipe dhe shpirti shqiptar!/ DrenicaOnline/

 

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë