Isa Xhemajlaj: PDK është shkaku pse Drenica është e varfër

Kandidati për deputet i Nisma’s Socialdemokrate, Isa Xhemajlaj ka qenë i ftuar sot në debatin e organizuar në Skenderaj nga emisioni Frontal i T7.
Ai ka thënë se boshti i koalicionit Nisma-AKR-PD hyn në këto zgjedhje i përgatitur mirë, me objektiva të qarta se ku do të shkojmë dhe ku do ta dërgojmë vendin, transmeton DrenicaOnline.
Ai ka akuzuar PDK-në për varfërinë që ka pushtuar rajonin e Drenicës.
“PDK ka lënë në varfëri të skajshme Drenasin dhe Skenderajn. Një pjesë e PDK-së që kanë dhënë kontribut në parti, kanë ndërruar kahje politike ndërsa Nisma po zgjerohet çdo ditë në Drenicë”, ka thënë Xhemajlaj.
Sipas tij, mbi dy mijë familje marrin asistencë sociale në Skenderaj dhe kjo tregon gjendjen e varfër në këtë komunë. Ai tha se fabrikat të cilat kanë qenë në Drenicë sot janë shkatërruar që të gjitha./DrenicaOnline/