Mbahet takimi i rregullt i Komitetit Lokal për Siguri Publike në Komoran

Në kuadër të aktiviteteve të rregullta për çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit më të mirë në mes të Komunës së Drenasit, institucioneve tjera dhe shoqërisë civile, sot në Komoran u mbajt mbledhja e rregullt e KLSP-së që përfshin Komoranin me rrethinë.
Të pranishëm në takim ishin Nënkryetari i komunës së Drenasit Gani Sylaj, Komandanti i Stacionit Policor të Drenasit Bashkim Bytyqi si dhe Togeri Liman Tahiri e Rreshter Mehmet Cakiqi, Armend Gara kryesuesi i KLSP-së për rrethin e Komoranit, përfaqësues tjerë në KLSP-së si dhe monitorues nga OSBE-ja dhe KFOR-i.
Nënkryetari Sylaj përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi për punën e KLSP-së për këtë rreth dhe ftoi përfaqësuesit që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre të për identifikimin e problemeve dhe adresimin e tyre me qëllim të parandalimit të tyre duke i kontribuar forcimit të rendit dhe sigurisë së përgjithshme.
Përfaqësuesit e policisë bënë një raport përmbledhës për çështje që kanë të bëjnë me sferën e sigurisë për këtë anë ndërsa anëtarët identifikuan disa çështje mund që ndikojnë në përmirësimin e sigurisë si ndriçimi publik dhe kamerat e sigurisë. Po ashtu u ngritën edhe disa çështje si zhvendosja e tregut nga rruga dhe zbulimin e vjedhjeve si dhe probleme tjera që cenojnë sigurinë.
Nënkryetari Sylaj i njoftoi të pranishmit se disa nga çështjet e ngritura janë adresuar e disa janë në procedure dhe pritet që të realizohen në një të ardhme të afërt. Gjithashtu Nënkryetari Sylaj tha se Komorani është një nga përfituesit më të mëdhenj me projekte si stadiumi kombëtar, stadiumi sintetik, pishina gjysme olimpike, shkolla e mesme profesionale etj.
Të pranishmit morën edhe një lajm të mirë nga monitoruesit e OSBE-së të cilët i njoftuan të pranishmit se janë të gatshëm që të përkrahin një projekt të KLSP-së në shumën deri në 4000 euro.
Nënkryetari Sylaj përfundoi mbledhjen duke u bërë thirrje të pranishmëve që të vazhdojnë punën e mirë në identifikimin e problemeve që cenojnë sigurinë e banorëve të kësaj ane.