Kosova e 17 shkurtit!

Shkruan: Burim Ramadani

Njohja nga Serbia për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme, por as nuk i afrohet rëndësisë së ekzistencës së Kosovës! Vënia në pikëpyetje e Kosovës së 17 shkurtit është heqje dorë nga ekzistenca!

Dorëzimi i Kosovës nuk është opsion. Asnjëherë nuk duhet të jetë.

Kosova ka shpallur pavarësinë e vet më 17 shkurt 2008, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 e ka vulosur argumentin para krejt botës së shpallja e pavarësisë nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Këtu fillon dhe mbaron diskutimi për shtetësinë e Kosovës, ekzistencën e saj, qëndrueshmërinë dhe përjetësinë e saj! Gjithçka tjetër, përpos asaj të 17 shkurtit 2008, për Kosovën nënkupton hiq më pak se dorëzim! Nënkupton heqje dorë nga vetvetja, nga ekzistenca e vet!

Vetëm një zor i madh i detyron shtetet dhe popujt të heqin dorë nga vetja. Vetëm një opsion për katastrofë potenciale kombëtare e njerëzore mund të detyrojë një shtet e një popull të rivizatojë veten, të ridefinojë gjithçka të veten.

A ka Kosova një opsion të tillë katastrofe kombëtare e njerëzore që potencialisht i afrohet? A di ndokush diçka që askush tjetër nuk di?

Në vërtetë, e kundërta besoj unë është e vërteta.

Kosova nuk është në status quo. Shteti i Kosovës po konsolidohet, tashmë në nivele më të larta të Arkitekturës së Sigurisë Kombëtare, sigurisë energjetike, ekonomisë, sistemit të brendshëm dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Gati 11 vjet prej shpalljes së pavarësisë, Kosova arriti ta mandatojë ushtrinë e saj. Kjo definitivisht paraqet një argument se këtu nuk ka status quo.

Gati 11 vjet prej shpalljes së pavarësisë, Kosova arriti të kontraktojë investimin më të madh në histori për energjetikë, 1.3 miliardësh, përmes të cilit siguria energjetike garantohet. Kjo definitivisht paraqet një argument se këtu nuk ka status quo.

Gati 11 vjet prej shpalljes së pavarësisë, Kosova për herë të parë arriti të bëjë e miratojë Ligj për Paga. Një element thelbësor që dëshmon për punë në konsolidimin e sistemit shtetëror, i munguar për më shumë se një dekadë. Kjo definitivisht paraqet një argument se këtu nuk ka status quo.

Gati 11 vjet prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka arritur në marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet në rajon (sigurisht, përpos Serbisë armiqësore!) dhe vendet perëndimore. Marrëdhënie të komunikimit të avancuar me NATO-n dhe me BE-në. Kjo definitivisht paraqet një argument se këtu nuk ka status quo.

Gati 11 vjet prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka arritur që për herë të parë të kujdeset me detaje për punët e shtëpisë. Punët e brendshme në nivel lokal e qendror, që kanë munguar për gati një dekadë. Prej infrastrukturës ligjore, tek zonat speciale ekonomike me flamur amerikan e gjerman, e deri tek aksioni më i madh ndonjëherë për pastrimin e Kosovës nga bërllogu. Kjo definitivisht paraqet një argument se këtu nuk ka status quo.

Mund të listojmë edhe një varg të gjatë të argumenteve të tilla që nuk mund të kontestohen racionalisht, porse thelbi mbetet tek domosdoshmëria e veprimit të përbashkët.

Tash, sërish dhe sërish e njëjta pyetje themelore: Çka ndryshoi që ne të heqim dorë nga shteti ynë?

Sigurisht, në një analizë duhet parë edhe nëse Kosova ka gabuar! Çka mund të jetë gabimi ynë?

A kemi praktikuar hegjemoni? Sigurisht që jo! Përkundrazi, kemi promovuar të drejta shtesë për minoritarët.

A kemi tentuar spastrim etnik apo gjenocid? As në mendje nuk i ka shkuar kujt! Përkundrazi, i kemi ofruar autorizime shtesë për sigurinë e komuniteteve minoritare.

A kemi praktikuar diskriminim për shkak të përkatësisë? Absolutisht jo! Përkundrazi, kemi dëshmuar për ndarje joproporcionale të pushtetit dhe mundësive për minoritarët.

Të paktën këto tri politika i ka zbatuar në formën më të vrazhdtë Serbia kundër popullit të Kosovës për dekada me radhë.

Prandaj, nuk i kemi borxh gjë Serbisë!

Prandaj, ka pasur intervenim humanitar të botës demokratike!

Prandaj, ushtria, policia, administrata, pushteti e sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë më kurrë!

Është e vërtetë, në bindjen time, se njohja nga Serbia për shtetin e Kosovës është shumë e rëndësishme. Por, kjo as nuk i afrohet rëndësisë së ekzistencës së Kosovës! Dhe, ekzistenca e Kosovës nënkupton atë që është shpallur gati 11 vjet më parë! Jo të një Kosove tjetër, me territor tjetër e me organizim tjetër të brendshëm!

Vënia në pikëpyetje e Kosovës së 17 shkurtit është heqje dorë nga ekzistenca!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë