Skenderaj: Të dëmtuarit thonë se i akuzuari i shkatërroi të dhënat kompjuterike pasi dështoi të zgjidhet drejtor

Ish-anëtarët e organizatës “Bridge Film Fest”, Nerimane Ferizi, Albulena Gashi, Beshir Seferi dhe Arbër Hoxha, të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, kanë dhënë dëshmitë e tyre në rastin ku Besim Mikullovci po akuzohet për shkatërrim të të dhënave kompjuterike të kësaj organizate.

Ata njëzëri kanë deklaruar se i akuzuari Mikollovci, shkatërrimin e të dhënave kompjuterike të OJQ-ës e kishte bërë pasi që ai nuk kishte arritur të zgjidhet drejtor i saj.

Pas mosmarrëveshjeve që dëshmitarët, tani të dëmtuarit e lartcekur i kishin pasur me disa anëtarë në organizatën “Color Art”, ata së bashku me të akuzuarin kishin themeluar organizatën “Bridge Film Fest”, ku edhe kishin vazhduar punën me projekte filmike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Nermimane Ferizi, ka deklaruar se hapja e kësaj organizate, ishte iniciativë e tani të akuzuarit, Besim Mikullovci.

Ajo ka thënë se me këtë të fundit, kishin raporte të shkëlqyera deri në momentin kur sipas saj, ai ka dështuar të zgjidhet drejtor i kësaj organizate.

“Besim Mikullovci ka kërkuar nga ne që të bëhet drejtor artistik i festivalit të filmave, e të cilën gjë ne e kemi kundërshtuar dhe pas kësaj e ka kryer një akt të tillë”, ka thënë Ferizi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mikullovci, avokati Visar Rrecaj e ka pyetur dëshmitaren Ferizi, se si ka mundësi që e-mail-at të cilat pretendon që i ka shkatërruar i akuzuari, ishin për projektin filmik “Bridge Film Fest”, e jo për organizatën “ColorArt”.

Në përgjigjen e saj, Ferizi ka deklaruar se e-mail-at e shkatërruara kanë qenë vetëm për projektin “Bridge Film Fest”.

Ndërsa, dëshmitari Arbër Hoxha është pyetur nga avokati Rrecaj se a kishte dijeni që marka për “BridgeFilmFest” i takonte organizatës “ColorArt” dhe se Nerimane Ferizi së bashku me të tjerët nuk kishte të drejtë ligjore ta përdorte të njëjtin emër për hapjen e OJQ-së së re.

Hoxha ka thënë se lidhur më këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte refuzuar kërkesën e “ColorArt” për sigurimin e markës tregtare “Bridge FilmFest”.

“Në nëntor të vitit 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e OJQ-së ‘ColorArt’ për caktimin e masës së përkohshme për sigurimin e markës tregtare “BridgeFilmFest” përderisa rasti është ende në gjykatë, pra deri sa gjykata të vendosë për kërkesën tonë për kompensim dhe kthim të e-mailave dhe webfaqeve të OJQ-së “BrdigeFilmFest”, ka thënë Hoxha.

Në pyetjen nga mbrojtja se a ishte në dijeni se organizata “ColorArt” e kishte autorizuar të akuzuarin t’i mbyll e-mail-at e “BrdigeFilmeFest”, dëshmitarja Albulena Gashi ka thënë se ishte në dijeni për një vendim të tillë, por sipas saj ky vendim nuk kishte bazë ligjore pasi që ishte marr pa kuorum të mjaftueshëm.

Të njëjtën pyetje, mbrojtja ua kishte parashtruar edhe tre dëshmitarëve të tjerë dhe të gjithë kishin dhënë të njëjtën përgjigje.

Tutje, avokati Rrecaj u ka thënë dëshmitarëve se a ishin në dijeni se organizata “Coloar Art” me vendimin e 26 janarit 2016, i kishte shkarkuar nga të gjitha pozitat në këtë organizatë, por edhe nga projekti “Bridge Film Fest”.

Dëshmitarët e pranishëm kanë deklaruar se kanë qenë në dijeni për një vendim të tillë dhe se rastin bashkërisht e kishin paraqitur në polici.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve, avokati Rrecaj gjithashtu ka thënë se si ka mundësi që dëshmitarët të pretendojnë se janë edhe të dëmtuar pasi që organizata ka qenë jo profitabile dhe se siç tha ai, shumë herë ata kishin pasur pozitën e vullnetarit.

Për këtë, Nerimane Ferizi dhe Albulena Gashi kanë deklaruar se Ambasada e Norvegjisë, pas përfundimit të edicionit të dytë të filmit, u kishte premtuar përkrahje financiare për edicionin e tjetër.

“Ambasada e Norvegjisë, pasi e kem përfunduar edicionin e dytë të filmit, na ka premtuar 40.000 euro për realizimin e edicionit të tretë. Ne, me ato mjete kishim marrë nga një pagë gjatë tërë periudhës sa do të zgjaste projekti për festivalin e tretë si dhe do të punësonim rreth 60 të rinj që kanë qenë vullnetar në organizatën tonë”, ka thënë Ferizi.

Ndërsa, dëshmitari Arbër Hoxha ka deklaruar se përveç dëmit material, me rastin e bllokimit të e-mail-eve zyrtare, atyre u ishte shkaktuar edhe dëm jo material.

“Përveç që nuk ka pasur mundësi të vazhdojë më puna aty ku na ka mbet, ne si Kosovë kem marrë imazh të keq, pasi që ne në botë jemi konsideruar se vetëm i kemi vjedhur filmat e tyre, pasi që në festival kanë marrë pjesë artist nga e gjithë bota. Pas përfundimit të edicionit të parë dhe të dytë, gazetat botërore, duke përfshirë Francën, Rusin, Qipron, Greqinë dhe Indinë, kanë shënuar për një punë profesionale nga një grup i femrave të një vendi të ri. Unë personalisht ndjehem i fyer dhe i zhgënjyer”, ka thënë dëshmitari Hoxha.

Por se dëshminë e Hoxhës, e ka përqeshur mbrojta, duke thënë se si ka mundësi të shkruaj për ne edhe India.

Ai i ka thënë dëshmitarit që të ketë kujdes e mos të dërgon të akuzuarin në burg.

Pas kësaj, Hoxha ka deklaruar se ata nuk dëshironin ta dërgonin të akuzuarin në burg, por vetëm po kërkonin, siç tha ai, kthimin e e-mail-eve.

Hoxha, më pas ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet pyetjeve të këtij avokati, i cili siç tha ai, po e injoron dëshminë e tij.

Në këtë situatë, ka ndërhyrë gjyqtari Hajraj, i cili i ka thënë dëshmitarit Hoxha se ai është që vendos se në cilat pyetje do të përgjigjet, e në cilat jo dhe se sipas tij, gjykata është ajo që vendos se a do të dënohet i akuzuari apo jo.

Gjithashtu, Hajraj i është drejtuar avokatit Rrecaj, duke i thënë se nuk kishte nevojë të shprehet në atë mënyrë.

Lidhur me atë se e-mail-at e OJQ-së “Brdige Film Fest” ishin pjesë e OJQ-së “ColorArt” apo jo, mbrojta ka ofruar një dokument me të cilin vërtetohet se pronësia e domenit “Bridge Film Fest” i takonte të akuzuarit Mikullovci.

Pikërisht kjo, sipas dëshmitarit Hoxha tregon se vetëm i akuzuari mund të kishte qasje në të dhe se sipas tij, domeni i blerë nga i akuzuari i ishte dhuruar Nerimane Ferizit me rastin e ditëlindjes së saj.

Kurse, dëshmitari Beshir Seferi, ka thënë se i akuzuari Mikullovci kishte kërkuar të bëhej drejtor në grupin që e kishin pasur në rrjetin social Facebook.

Lidhur me këtë, ai është pyetur nëse i akuzuari në gjë të tillë e kishte kërkuar edhe në mbledhje, por dëshmitari Seferi ka thënë se kjo nuk i kujtohet.

Shqyrtimin e ardhshëm gjyqësor në këtë çështje penale, gjyqtari e ka caktuar më 17 janar 2019, në ora 9:00

Në këtë shqyrtim, pritet të dëgjohen dëshmitaret Adriana Morina dhe Besarta Pasova.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të ngritur me 11 maj 2016, Besim Mikullovci akuzohet se në fund të muajit shtator të vitit 2015 pa autorizim dhe në mënyrë që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme për vete, apo ti shkaktojë dëm personit tjetër, ka hyrë në sistemet kompjuterike të tjetrit me ç’rast ka shkatërruar të dhënat dhe programet kompjuterike.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka pretenduar të jetë drejtor i OJQ-së të cilën e ka themeluar e dëmtuara Nerimane Ferizi dhe pas një mosmarrëveshje me të dëmtuaren, në shenjë revolte i ka thyer fjalëkalimet e email-a-ve zyrtare të të dëmtuarve Nerimane Ferizi, Albulena Gashi, Beshir Seferi dhe Arbër Hoxha. Duke u bazuar në aktakuzë, i pandehuri i ka thyer edhe e-mail-at e webfaqeve ëëë.filmfreeëay.com në të cilën gjendet në gjithë filmat e festivalit në OJQ-në e të dëmtuarës Nerminae Ferizi. Sipas aktit akuzues, i pandehuri ka thyer edhe uebfaqet www.brdigefilmfest.com dhe ëëë.bridgefilmfest.net me çka ka pamundësuar qasjen e të dëmtuarve për t’i kryer aktivitetet e tyre në OJQ-në “BridgeFilmFest”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “hyrje në sistemet kompjuterike”, nga neni 339 parag.1 të KPRK-së.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë