Kryetari i Drenasit tejkalon zotimet për përkrahjen e studentëve


Studentët e shkëlqyer të Drenasit dje i janë gëzuar shumë ndarjes së bursave nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

227 studentë që kanë plotësuar kriteret, dje kanë nënshkruar bursat e premtuara nga Lladrovci gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet e fundit lokale.

Për herë të parë, të gjithë aplikantët që kanë plotësuar kriteret do të marrin mbështetjen e komunës në rrugën e tyre të dijës, raporton DrenicaOnline.

Përfitues të bursave janë studentët e degëve të ndryshme në bachelor dhe master.

Lladrovci me këtë veprim bëhet kryetari i parë i një komune që u jep bursa të gjithë studentëve që kanë plotësuar kriteret e kërkuara në aplikim.

Lladrovci derisa po ndante bursat, para studentëve drenicas tha se gëzimi juaj, avancimi juaj, arritja juaj, është arritje edhe e familjes tuaj, e Drenasit, arritje e Drenicës, Kosovës dhe kombit tonë.

“Ju përgëzoj sepse ju e meritoni. Ju, të gjithë i keni plotësuar kushtet për bursë. Pa përjashtim, ju të gjithë do të keni bursa, sepse, ju jeni e ardhmja e këtij vendi sa krenar aq edhe të munduar për të arritur deri te liria. Unë jam sot, njeriu më krenar në Kosovë, sepse, asnjë studenti që i plotëson kushtet, nuk ia kemi mbyll derën. Secili do të gëzoj të drejtën e përkrahjes”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka thënë se kur kishte shkuar në krye të komunës, i kishte gjetur 40 bursa dhe duke e parë gjendjen kishte dhënë zotimin se do të sigurojë dyfishin.

“Sot, i kemi siguruar 227 bursa, secili student që i plotësoi kushtet, e mori bursën. Nuk pati nevojë të ketë asnjë ndërhyrje në komision apo të mendoni të gjeni rrugë tjera për të marrë bursë, apo të njohur. Ju të gjithë jeni të njohur për mua, sepse jeni më të mirët”, ka thënë Lladrovci./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë