Prekëse: E fejuara e viktimës së rrëzimit të aeroplanit i bën fotografitë e dasmës pa të fejuarin (Foto)

Data e 11 nëntorit ishte dita kur Intan Syari duhej të martohej me të fejuarin e saj. Sidoqoftë, i fejuari i saj, Rio Nanda Pratama, vdiq kur aeroplani i kompanisë “Lion Air” u rrëzua në det afër kryeqytetit të Indonezisë, pak çaste pasi u ngrit nga toka. Të dielën e kaluar, e cila duhej të ishte dita e dasmës për ta, e fejuara vendosi që t’i bëjë e vetme fotografitë e dasmës. Në këtë mënyrë, ajo e plotësoi dëshirën e fundit të të dashurit, i cili kishte kërkuar që ajo t’i bënte fotografitë, edhe nëse ai nuk arrin të kthehet.
“Ndonëse ndiej pikëllim që nuk mund ta përshkruaj, mua sërish më duhet të buzëqesh për ty. Unë nuk duhet të jem e mërzitur, por duhet të jem e fortë, ashtu siç më ke kërkuar gjithmonë”, shkroi ajo në përshkrimin e disa fotografive që i publikoi në Instagram. Ajo tha se i fejuari i saj, i cili ishte mjek, ishte dashuria e saj e parë.

Fotografi i cili i bëri fotografitë, Indra Permana, tha se u habit kur iu kërkua të bënte fotografi të dasmës pa praninë e njërit prej të fejuarve. “Isha i hutuar dhe nuk e dija se si do të dukeshin fotografitë dhe si të merrem me vajzën. Sidoqoftë, fotografitë dolën të mira për shak se ajo kishte zemër të fortë”, deklaroi ai.

I fejuari i vajzës ishte një nga 189 pasagjerët që ndërruan jetë për shkak të rrëzimit të aeroplanit afër Indonezisë. Edhe tri javë pas rrëzimit, autoritetet ende janë duke e kërkuar pajisjen e aeroplanit që e incizon zërin në kabinën e pilotëve, shkruan “CNN”.