Apeli vërteton pafajësinë e Fatmir Limajt për rastin “Bellanica”

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të gjykatës së shkallës së parë ndaj Fatmir Limajt, që akuzohej për krime lufte në rastin “Bellanica”.

Kështu, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ushtruar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.

Sipas Apelit, shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota lidhur me pafajësinë e të akuzuarit Limaj për pretendimet e PSRK-së se i njëjti është kryes i veprës penale për të cilën akuzohej.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ishte liruar nga akuza për krime lufte në rastin e njohur si “Bellanica” nga Gjykata Themelore në Gjakovë, më 9 mars të këtij viti.

Limaj, akuzohej për përgjegjësi komanduese, në kohën sa ishte në cilësinë e komandantit të brigadës 121 të UÇK-së, në lidhje me vrasjen e dy civilëve shqiptarë, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi, në vitin 1998.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, gjykata nuk ka gjetur elemente të veprës penale, me të cilën do të ngrakohej Limaj.

Ndryshe, gjatë gjithë këtij gjykimi, në cilësinë e dëshmitarëve janë dëgjuar edhe bashkëpartiakët e Limajt, Jakup Krasniqi dhe Ragip Begaj si dhe personalitete tjera të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë edhe Azem Syla, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi, Sokol Dobruna, Naim Maloku dhe Muhamet Hoxha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 28 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt, lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.

Sipas PSRK-së, Limaj dyshohet se në cilësinë e komandantit ushtarak të Brigadës 121, të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit, nga fshati Banjë, Komuna e Malishevës, të cilët me arsyetimin se janë bashkëpunëtorë të okupatorit serb, janë marrë peng nga disa persona me maska, më 2 tetor 1998, dhe më pas janë ekzekutuar.

Me çka, sipas PSRK-së, i akuzuari ka shkelur nenin 3 të  Konventave të Gjenevës dhe Kodin Penal, i cili e inkriminon si vepër penale edhe “përgjegjësinë e komandës”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë